Haxhiu: “klubi i burrave” tentoni ta përmbys vullnetin e qytetarë, tregon hapat që do të ndërmarrë VV-ja
Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e shkatërron rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Pas takimit me presidentin Thaçi, në një deklarim para mediave, Haxhiu ka thënë se takimi i sotëm ngjante me një “klub burrash” të cilët, sipas saj, tentonin ta përmbysnin vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Isha pjesë e një takimi jokushtetues, i cili ishte ftuar nga presidenti Hashim Thaçi. Përveç se jo kushtetues, ishte një takim që ngjante në një klub burrash, të cilët tentonin ta përmbysnin vullnetin e zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka deklaruar se presidenti Thaçi ka vepruar në kundërshtim me kompetencat që i takojnë me Kushtetutën e Kosovës.
“Sa i përket Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më lejoni të ju njoftoj se Kushtetuta nuk i jep të drejtën presidentit të vendit që të konsultohet në këtë format me përfaqësuesit e partive politike”, ka thënë ajo.
Përfaqësuesja e LVV-së ka nënvizuar se Qeveria Kurti u rrëzua “shkaku i pazareve të presidentin Thaçi me Isa Mustafën”.
“Unë insistova edhe për herën e dytë ta marrë fjalën, por presidenti refuzoj të ma japë fjalën për herën e dytë,. Kisha qëllimin t’i thoja se Qeveria e Kosovës nuk është rrëzuar për faktin se nuk ka arritur të luftojë pandeminë COVID-19, apo për faktin se ka pasur afera korruptive. Kjo qeveri është rrëzuar për shkak të pazarit të presidentit Thaçi me Isa Mustafën. Është për keqardhje se në vend që këta njerëz të bëheshin bashkë me Qeverinë e Kosovës për të luftuar pandeminë COVID-19, këta kanë vendosur të bëhen bashkë kundër Qeverisë së Kosovës”
Në takimin konsultativ me përfaqësuesit e partive politike, presidenti Thaçi ka bërë të ditur se pasi të gjitha partitë, pos Vetëvendosjes, janë shprehur pro formimit të Qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje, do t’ia japë mandatin atyre që mund të formojnë shumicën parlamentare.
“Si rrjedhojë e diskutimeve, si dhe duke marrë parasysh që të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend, me përjashtim të njërës, janë për formimin e Qeverisë së re, ndodhemi para pyetjes: Si rrjedhojë e vullnetit tuaj që vendi të ketë qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, duke respektuar në tërësi dhe përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, do t’i jap mandatarin cilësdo parti që dëshmon se ka shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë e re”, ka thënë ai.