Kurti – Thaçit: Po vepron në kundërshtim me Kushtetutën
Kryetarët e tri partive politike, LDK, PDK e AAK, si dhe përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, janë mbledhur për takim me presidentin Hashim Thaçi për t’u konsultuar për formimin e qeverisë së re.
Albulena Haxhiu ka thënë se se Lëvizja Vetëvendosje e ka parë me shqetësim qasjen e Presidentit të Kosovës në raport me procedurat për formimin e qeverisë së re.
Ajo, gjatë takimit, ka lexuar një letër të Albin Kurtit dërguar presidentit Hashim Thaçi.
Në letrën e Kurtit thuhet se presidentit nuk i takon të konstatojë se kryetari i LVV-së nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të formuar qeverinë e re.
“I nderuar President, sot më 22. 04. 2020 kam pranuar një letër nga ju, përmes së cilës konstatoni jashtë kompetencave tuaja se unë nuk e kam shfrytëzuar të drejtën për formimin e qeverisë. Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh këtë. Përveç kësaj, kushtetuta nuk përcakton as afatin e as një gjë të tillë. Kushtetuta parasheh caktimin e mandatarit vetëm nga partia që ka fituar zgjedhjet”, ka cituar Haxhiu, letrën e Albin Kurtit.