Liderët politikë mblidhen te Thaçi, fillojnë konsultat me presidentin
Kryetarët e tri partive politike, LDK, PDK e AAK janë mbledhur për takim me presidentin Hashim Thaçi për të nisur konsultat për formimin e qeverisë së re.
Në presidencë tashmë kanë arritur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ai i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Nga Lëvizja Vetëvendosje aty është parë Albulena Haxhiu që nuk ka treguar nëse do të jetë në këtë takim.
Ndërsa siç duket Thaçi ka nisur konsultat me liderët politikë, aty u panë edhe përfaqësues të partive politike nga rradhët e LDK-së e VV-së.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar në takim konsultativ liderët e partive politike, dhe ka njoftuar se takimin do ta mbajë sot në orën 16:30.
“Sot në orën 16:30, në sallën C-301, do të mbajë takim konsultativ me liderët e subjekteve politike parlamentare”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Pak më herët, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se ai do të nis konsultimet me partitë tjera parlamentare për ta formuar qeverinë e re.
Në njoftim theksohet se gazetarët, fotografët dhe kameramanët lejohen të qëndrojnë vetëm në hollin e Kuvendit.