Kusari-Lila: Asnjë marrëveshje e shënuar në letër, nuk mund të na zgjidhë problemet me Serbinë
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë që edhe në rast se nënshkruhet ndonjë marrëveshje me Serbinë, ajo nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve që i kemi me ta.
“Një gjë duhet ta kemi të qartë, ne nuk do ta zgjidhim komplet problemin me Serbinë në momentin që do të nënshkruhet marrëveshja. Pa marrë parasysh rrethanat ne do të vazhdojmë të kemi probleme me ata”.
“Çfarëdolloj marrëvëshje që mund të nënshkruhet në këtë periudhë kohore, e cila aludohet që duhet të bëhet brenda vitit, nuk mund t’i mbulojë të gjitha problemet që i kemi me Serbinë”.
Kusari-Lila në Klan Kosova, ka thënë që në situatën në të cilën ndodhemi, fajtor nuk janë SHBA-të por problemi qëndron te politika e Kosovës.
“Sikur ne t’i kemi parimet e qarta se cili do të jetë roli i partive politike në raport me dialogun, cilat janë kërkesat dhe platformat në raport me dialogun do të ishte më ndryshe. Presidenti Trump besoj që e ka dëshirën dhe vullnetin maksimalisht, që kjo çështje të përmbylllet, edhe pse ai s’ka kohë të merret në veçanti me Kosovën. Nuk mund ta ketë komplet idenë që në momentin e nënshkrimit përfundon çdo gjë”.
Sipas Kusari – Lilës, ndryshimet politike qe po ndodhin në Kosovë nuk i konvenojnë askujt më shumë se Serbisë.
“Zgjidhja është të vazhdohet kjo qeveri në detyrë, deri në momentin kur të krijohen kushtet për zgjedhje të cilat do të jenë me shumë gjasë në verë të këtij viti”.