Mbi 6 mijë të regjistruar si të papunë për të përfituar nga pakoja e Qeverisë
Drin Haraçija, drejtor i Agjencisë së Punësimit, ka thënë se mbi 6 mijë persona janë regjistruar deri më tani si të papunë për të përfituar nga pakoja e Qeverisë, por sipas tij ky numër është edhe më i madh.
Ai ka thënë se përfitues nga kjo pako janë vetëm familjet që s’kanë të hyra.
“Bazuar në masën 15 parashikohet që të përfitojnë ajo familje që s’ka asnjë të punësuar. Me këtë rast nënkupton se një anëtar i familjes ka të drejtë të përfitojë. Ndërsa njëri ndër kriteret për të përfituar është edhe regjistrimi si i papunë. Kurse duhet të plotësohet edhe një formularë dhe nga ditë e premte do të jetë online për t’u plotësuar”, ka thënë Haraçija.
Ai ka treguar se deri më tani janë regjistruar mbi 6 mijë persona.
“Mbi 6 mijë persona janë vendosur në sistem, por ky numër është edhe më i lartë, pasi ne kemi tri metoda të regjistrimit. E para është online, e dyta është përmes dërgimit të emailit tek udhëheqësi i Zyrës së Punësimit në zyrën përkatëse dhe metoda e tretë ka qenë aplikimi fizik, të cilin nga java e kaluar e kemi ndaluar për shkak të numrit të madh që kanë ardhur për t’u regjistruar dhe kanë krijuar turma”, ka thënë Haraçija. “Deri tani ka numër të madh të aplikacioneve dhe ky numër do të jetë shumë më i madh se 6 mijë”, ka thënë ai.
Ai thotë se ka zyre të punësimit në 34 komuna.
“Kemi në 34 komuna zyre të punësimit, për shkak se agjencia është funksionalizuar në vitin 2017. I kemi katër komuna që s’janë të përfshira, por ato përfshihen në ato komuna më të mëdha”, ka thënë Haraçija.
Sipas tij gjithçka është e qartë se kush përfiton nga kjo pako.
“Nëse e shikojmë pakon prej fazës së parë çdo gjë është e qartë, ato janë familje që s’kanë asnjë të hyrë. Ato që kanë përfituar nga skemat e ndryshme sociale, pensionale, apo ndonjë familjar merr ndonjë pension të ndonjë forme s’kanë të drejtë të përfitojnë nga kjo skemë. Prandaj ju bëj apel që t’i shikojnë ato”, ka thënë ai.
Ai thotë se do të ketë kontrolle shtesë për të verifikuar këto të dhëna të të regjistruarve.
“Pas aplikimit këto të dhëna do të krahasohen me agjencionin e punësimit për të shikuar nëse ata persona të regjistruar janë të papunë. Por, edhe me atë tatimore nëse kanë të hyra në çfarëdo forme. Por, do të krahasohen edhe me ato të Regjistrimit civil për të shikuar trungun familjar, pasi është detyrë e të gjithëve të ruhen paratë e taksapaguesve. Pra, është shumë e qartë se përfiton vetëm një anëtar i familjes, nëse nuk ka asnjë të hyrë. Mendoj se kjo është një kontroll e mirë, megjithatë do të rishikohen përsëri”, ka thënë Haraçija.
Ai thotë se do të bëjnë më të mirët në mënyrë që të përfitojnë ata që vërtet kanë nevojë.
“Obligimi i Institucionet që unë udhëheq iu mundëson qytetarëve që të regjistrohen si të papunë dhe të verifikohen ato. Do të bëhen kontrolle të nivelit të lartë. Ne në çdo variant do të bëjmë më të mirën që të përfitojnë me të vërtetë ata që kanë të drejtë të përfitojnë bazuar në vendimin e Qeverisë”, ka thënë ai.
Tutje ai ka inkurajuar qytetarët që të regjistrohen në zyrën e punësimit në mënyrë
“Çdo vit ne i inkurajojmë qytetarët që të regjistrohen në zyrat e punësimit, pasi sa më shumë punëkërkues do të jetë mundësia më e madhe që t’i kyçim në tregun e punës”, ka thënë Haraçija.