KDI i kërkon Vetëvendosjes mos ta vonojë procesin e formimit të Qeverisë së re
Instituti Demokratik i Kosovës, po i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të mos e vonojë procesin e formimit të qeverisë së re. Përmes një komunikate, KDI thotë se vlerëson që pas katër letërkëmbimeve në mes të Presidentit dhe VV’së, kjo e fundit duhet të ushtrojë të drejtën për të dërguar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë, pa humbur kohë
KDI po i kërkon Lëvizjes Vetëvendosje që si fituese e zgjedhjeve të zhvillojë konsulta me subjektet tjera politike për lidhje të koalicionit të ri dhe të caktojë brenda një afati sa më të shpejtë kohor mandatarin e ri për të formuar Qeverinë.
“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson që pas katër letërkëmbimeve në mes të Presidentit dhe Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues i zgjedhjeve në tre javët e fundit, kjo e fundit, pa humbur kohë duhet të ushtrojë të drejtën për të dërguar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë. Rrjedhimisht, ne kërkojmë nga Lëvizja Vetëvendosje, që si fituese e zgjedhjeve, të zhvillojë konsulta me subjektet e tjera politike për lidhje të koalicionit të ri dhe të caktojë brenda një afati sa më të shpejtë kohor mandatarin e ri për të formuar Qeverinë”, theksi KDI.
Po ashtu, KDI thotë se nëse LVV nuk ka vullnet politik për ta dërguar emrin e një mandatari për formimin e qeverisë së re, ajo mund ta ushtrojë të drejtën e refuzimit të mandatit, siç parashihet edhe në aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese.
“Megjithëse Kushtetuta jonë nuk e përcakton afatin kohor për propozimin e mandatarit, konsiderojmë se çdo vonesë në shfrytëzimin e kësaj dispozite kushtetuese mund ta shpijë vendin në ngërç institucional dhe kushtetues, si dhe do ta cenojë edhe parimin e stabilitetit institucional të vendit, duke ia pamundësuar Kuvendit ushtrimin e kompetencave të tij në zgjedhjen e Qeverisë. Ne vlerësojmë që stabiliteti institucional është vlerë që duhet të promovohet nga të gjitha subjektet politike në Kosovë, në përputhje edhe me legjitimitetin qytetar”, thuhet komunikatën e KDI’së.