Lladrovci: Në prani të Kurtit kam pranuar shpërblim mbi 287 mijë euro
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se ka marrë shpërblim në prani të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në vlerë mbi 287 mijë euro.
Ai thotë se këto mjete do të përdoren për të mirën e qytetarëve, me prioritet kolektorët e ujërave të zeza për ngritjen e cilësisë së jetës në komunë, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Sot, në prani të kryeministrit në detyrë, z. Kurti dhe ministres Rexhepi, kam pranuar shpërblimin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, për performancën e shkëlqyer të komunës së Drenasit, në vlerë prej 287.151 euro. Këto mjete do të përdoren për të mirën e qytetarëve, të harmonizuara me qytetarët, me prioritet kolektorët e ujërave të zeza për ngritjen e cilësisë së jetës në komunë.
Kjo është edhe një mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm për qytetarët, për zbatimin e ligjit dhe ligjshmërisë, me mundësitë që kemi në dispozicion.
Si çdo herë, kam qenë i nderuar të prezantoj edhe zyrtarët e shkëlqyer të Komunës së Drenasit, të prezantoj qytetarët dhe ata që na përkrahën dhe inkurajuan për të bërë më të mirën e mundshme, për të arritur performancën e shkëlqyer komunale, në nivel vendi.
Edhe më fuqishëm, do të vazhdojmë të kryejmë punën tonë, jo vetëm si obligim e zotim para qytetarëve por edhe si detyrim që kemi para jetës dhe veprës së heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, idealin e të cilëve ne sot e jetojmë!