A.H. i dyshuari për vrasjen e prindërve në Prizren do të gjykohet në Suedi
A.Hadri, i dyshuar për vrasjen e prindërve të tij në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit, tash e tutje do të hetohet nga autoritetet suedeze. Arsye për këtë është mungesa e një marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Kosovës dhe Suedisë, e cila pamundëson ekstradimin e tij në Kosovë. Ai ishte arrestuar nga autoritetet suedeze më 3 mars, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Një vrasje e dyfishtë kishte ndodhur në Prizren më 21 janar të këtij viti.
Vetëm dy ditë pas ardhjes në Kosovë, Durim dhe Suada Hadri u qëlluan për vdekje me armë zjarri në shtëpinë e tyre në lagjen “Ortakoll”.
Afër trupave të tyre u gjetën dhe u konfiskuan një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.
Për vrasjen e çiftit i dyshuari i vetëm është djali i vogël i tyre, A.Hadri, i cili është arrestuar nga autoritetet suedeze më 3 mars në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në këtë shtet do të vazhdojë edhe të zhvillohet procedura penale ndaj tij, për shkak se ai nuk mund të ekstradohet në Kosovë.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti i ka thënë Gazetës Express se në mungesë të ndonjë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës, autoritetet suedeze i kanë njoftuar se ekstradimi i djalit të çifit Hadri nuk është i mundshëm.
“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se i pandehuri A.H., është arrestuar në Suedi. Duke qenë se i pandehuri në fjalë është shtetas suedez dhe se në mungesë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, respektivisht ekstradimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Suedisë dhe se autoritetet suedeze në bazë të legjislacionit të tyre në fuqi nuk lejojnë ekstradimin për shtetasit e tyre, atëherë dhe na kanë njoftuar paraprakisht se ekstradimi eventual i të pandehurit nuk është i mundshëm për shkak të këtyre pengesave procedurale’, ka thënë Mehmeti.
Mehmeti ka treguar se Prokuroria Themelore e Prizrenit ka parashtuar kërkesë për transferimin e procedurës penale nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë dhe se kjo kërkesë është aprovuar tashmë.
“Andaj, në këto rrethana, Prokuroria Themelore në Prizren përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka parashtruar kërkesë për transferimin e procedurës penale kundër të pandehurit A.H., nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, e cila kërkesë edhe është aprovuar nga autoritetet suedeze”, ka deklaruar ajo.
Me aprovimin e një kërkese të tillë, procedura penale ndaj Hadrit tash e tutje do të zhvillohet nga autoritetet suedeze.
“Andaj, tani e tutje procedura penale ndaj të pandehurit A.H., do të zhvillohet pranë organeve kompetente të shtetit suedez”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit. Vrasja e çiftit që jetonte në Stokholm dhe kishte shtetësi suedeze, ishte bërë lajm në mediat e këtij shteti.
Policia suedeze kishte thënë se është e përfshirë në hetime.
“Siç ndodh zakonisht për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, janë autoritetet lokale që merren me hetimet paraprake. Policia suedeze është duke ndihmuar në këtë rast”, kishte thënë zëdhënësja Nadia Jaber.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Linn Duvhammar, kishte deklaruar se Qeveria suedeze është në dijeni të ngjarjes.
Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar në vend kanë ndodhur 17 vrasje, 10 prej të cilave kishin qenë vrasje të rënda.
Bazuar në këto të dhëna, shumica e këtyre vrasjeve kanë ndodhur në Prishtinë dhe Prizren. Ndërkohë, në Pejë, që më parë përmendej për vrasjet e shumta, gjatë 2019’s nuk është kryer asnjë vrasje.