Pal Lekaj: Nëse hiqet reciprociteti mos e drejtoni gishtin kah AAK-ja
Heqja e reciprocitetit do të jetë një nga vendimet e para për të cilat kanë paralajmëruar se do t’i marrin LDK-ja në rast se ju jepet e drejta për të krijuar qeverinë.
Me këtë qëndrim të partisë së Isa Mustafës, po pajtohen edhe AAK-ja që sipas të gjitha gjasave do të jenë partnerët kryesorë të Lidhjes Demokratike në koalicion.
Qeveria në detyrë e Kosovës në vazhdimësi është duke marrë thirrje për heqje të masës së reciprocitetit me Serbinë, në mënyrë që të krijohen kushtet që Prishtina e Beogradi të ulen në tavolinë të bisedimeve pas gati më shumë se dy vitesh prej kur dialogu po qëndron pezull.
Megjithatë, qeveria në dorëheqje, që ka marrë vendimin për reciprocitetin dhe atë për heqje të taksës, kanë deklaruar se një masë e tillë do të vazhdojë që të mbetet në fuqi.
Ndryshe, nga kreu i Qeverisë në detyrë po deklarohet LDK-ja, që me shumë gjasë do të formojë qeverinë e ardhshme.
Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa ka deklaruar vendimi i parë që do të merrte qeveria e krijuar nga LDK’ja do të ishte heqja e reciprocitetit. Shefi i Lidhjes Demokratike tha se kjo masë do të vazhdohej me reciprocitet të plotë tregtar, ekonomik e politik në rast se Beogradi nuk i heq pengesat ndaj Kosovës.
Por, a pajtohen me këtë qëndrim të LDK’së edhe ata që me gjasë do të jenë partnerët e ardhshëm të kësaj partie në qeverisje.
Gazeta Express sot gjatë ditës ka kontaktuar deputetin e AAK’së, Pal Lekaj, me të cilin ka diskutuar për qëndrimin e Aleancës lidhur me paralajmërimin për heqje të reciprocitetit.
Lekaj ka thënë se Albin Kurti, kreu i qeverisë në detyrë është ai që ka bërë një gabim duke larguar taksën dhe duke luajtur me fjalë për reciprocitetin.
“Aleanca qëndrimin për taksën e ka pasur shumë të qartë duke e përdorur atë si instrument për fuqizim ekonomik dhe politikë. Shumë kanë thënë se KM Haradinaj do ta pezullon taksën pas pak javësh, por ai e mbajti deri kur dha dorëheqje. Tani KM Kurti, bëri gabim fundamental duke e larguar taksën dhe duke luajtur me fjalë për reciprocitetin”, thotë ai.
Lekaj ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet që të drejtojnë gishtin ka Aleanca për këtë cështje, sepse vendimet e gabuara për këtë temë sipas tij i ka marrë Kurti.
“Populli i Kosovës nuk duhet ta drejtoj gishtin kah Aleanca për këtë temë, pasi që Kurti pa asnjë nevojë e mori hapin e gabuar rreth taksës dhe reciprocitetit. Kjo duke e bërë të mjegullt se çka është reciprociteti. Vendimi për taksën mbante edhe reciprocitetin. Për AAK-në taksa nuk ish larguar kurrë”, ka deklaruar ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka marrë pëlqimin e Këshillit të partisë për një koalicion me AAK’në, Nismën, AKR-në dhe minoritetet.
Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa tha sot se janë duke pritur thirrjen e presidentit Hashim Thacin, për të diskutuar lidhur me emrin për mandatarin.