21 të shëruar, arrin në 123 numri i të shëruarve nga koronavirusi në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se sot gjatë ditës janë shëruar 21 raste të reja, raporton FaktePlus.
“Sot më 20 prill 2020, janë shëruar edhe njëzet e një (21) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e njëzet e tre (123). Nga komuna e Mitrovicës së Veriut janë raportuar dy (2) raste të vdekjes dhe nga komuna e Leposaviqit një (1) rast i vdekjes”.
Kurse, janë konfirmuar edhe 37 raste të reja me koronavirus në vend. Numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar në 598.
Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK sot ka testuar 353 mostra, prej të cilave 37 kanë rezultuar pozitive.
“Sot më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 353 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga data 08 shkurt deri më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.009 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej pesëqind e nëntëdhjetë e tetë (598) raste, ndërsa gjithsej pesëmbëdhjetë (15) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së, raporton FaktePlus.