Gazeta britanike thotë se Kurti po e akuzon Trump-in për ndërhyrje
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një sulm të ashpër ndaj drejtorit të shërbimit të inteligjencës së Donald Trump, Richard Grenell, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën e vendit dhe ndihmesë në rrëzimin e ish-qeverisë së tij, me qëllim që t’i sigurojë një fitore të shpejt diplomatike Trump-it, shkruan The Guardian.
Mediumi britanik shton se Kurti po qëndron si kryeministër detyrë pasi partnerët e tij të koalicionit u kthyen kundër qeverisjes së tij muajin e kaluar, vendim ky i përshëndetur nga diplomatët amerikanë.
Kurti pranoi se kriza kishte një dimension lokal, thuhet ndër të tjera në artikullin e The Guardian, por akuzoi Richard Grenell, i cili është duke punuar në një marrëveshje të mundshme që Serbia të njohë Kosovën.
“Qeveria ime nuk u përmbys për asgjë tjetër, por vetëm sepse Ambasadori Grenell e kishte me nxitim që të nënshkruante një marrëveshje me Serbinë,” tha Kurti në një konferencë për shtyp të mbajtur përmes video-konferencës nga Prishtina.
“Ajo që atij [Grenell] i duhet është një marrëveshje e shpejtë për të treguar se ata mund të shuajnë krizat në botë, ndoshta në kontrast me Klintonët, Bushët dhe Obamat, pa ndonjë ndërhyrje ushtarake, dhe kjo mund të paraqitet si një sukses në këtë vit zgjedhor”, tha Kurti.
The Guardian shkruan se ai e akuzoi Grenellin se ishte i interesuar për përmbajtjen e çfarëdo marrëveshje dhe se ishte përqendruar vetëm në marrjen e “nënshkrimit në letër” sa më shpejt të jetë e mundur.
“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është treguar më i pranueshëm sesa Kurti karshi uverturave të SHBA-ve. Të dielën, Grenell shkroi në Twitter se kishte folur me Thaçin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, “për të bërë të qartë se ata duhet të fillojnë të përgatiten që nga sot” për dialog”, thuhet në një paragraf të artikullit të mediumit prestigjioz.