Lutfi Haziri: LDK e dëshiron Isa Mustafën kryeministër, ka mbetur ai të vendos
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se ekziston vullneti i strukturave të partisë që kreu i saj, Isa Mustafa të jetë kandidat për Kryeministër në rast se marrin një mandatim nga Presidenti i Kosovës. Haziri tha se tash ka mbetur që vetëm ai të vendos.
“Vullneti i strukturave të LDK-së është, dhe ka qenë që Isa Mustafa të jetë kandidat për kryeministër, sikur që ka ndodhur edhe me 6 tetor që nominuam Vjosen, sepse Mustafa nuk pranoi të nominohej e as në rastin e Avdullah Hotit. Do të jetë në vlerësime të tija si lider i kësaj partie. Natyrisht edhe të bashkëpunëtorëve të tij, por vullneti i tij ka me u respektu”, ka thënë ai.
“Ai në dy raste brenda këtyre 4 vjetëve iu ka dhënë përparësi opsioneve tjera, përtej tij. Është një prej të vetmëve që ka dalë përtej vetës. Në asnjë parti nuk ka ndodhë kjo”, ka deklaruar Haziri, teksa ka shtuar se ende nuk ka pasur nga askush tjetër në LDK një vullnet për të qenë në krye të një qeverie. Haziri ka thënë se do të punohet edhe në një qeveri teknokratësh, që do të jetë në gjendje të përballojë situatën nëpër të cilën po kalojmë.
Kurse sa i përket nominimit eventual të Kujtim Shalës dhe Avdullah Hotit, nënkryetari Haziri tha se “ata nuk e shohin vetën në krye të qeverisë që po pritet të dizajnohet”.