Një i vdekur, 4 të infektuar dhe shtatë të shëruar nga COVID-19 në Veri të Kosovës brenda 24 orëve
Në 24 orët e fundit, katër raste të tjera të koronavirusit janë regjistruar në veri të Kosovës, ndërsa shtatë persona me Covid-19 janë shëruar dhe një ka vdekur, sipas selisë së urgjencës komunale atje
Sipas raportimit të mediave lokale në gjuhën serbe, thuhet se deri më tani në Veri janë konfirmuar 31 raste me koronavirus.
Po ashtu, theksohet se në 24 orët e fundit janë shënuar 4 raste të reja me koronavirus, ndërkaq një person ka vdekur.
“Një tjetër person i prekur me COVID-19 ka vdekur në 24 orët e fundit. Deri më tani numri i përgjithshëm i pacientëve që vdiqën nga COVID-19 në këtë komunë është dy. Deri më tani, tre persona me Covid-19 kanë vdekur në komunitetet serbe në Kosovë. Sipas një raporti të ri, janë shëruar edhe shtatë të tjerë, kjo është arsyeja pse numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar nga veriu i Kosovës tani është 18”, shkruajnë mediat lokale në gjuhën serbe.
Po ashtu bëhet e ditur se personat e prekur me koronavirus ishin duke u trajtuar në Mitrovicë, në Qendrën Studentore në Prishtinë dhe në Beograd.
“Pacientët ishin akomoduar në këto lokacione: 21 pacientë ishin të vendosur në Spitalin Klinik të Mitrovicës, 28 ishin të vendosur në Qendrën Studentore, pesë pacientë ishin të vendosur në Spitalin Klinik Kragujevac, dy ishin në Spitalin Klinik Dragisa Misovic në Beograd, dhe 1 pacient në Qendrën Klinike të Serbisë vendosur në Panairin e Beogradit”, theksohet tutje.