PDK: Qeveria Kurti gjunjëzoi Kosovën para Serbisë, 1000 testet donacion u kontrabanduan në kufi
Partia Demokratike e Kosovës thotë se Qeveria e shkarkuar Kurti është gjunjëzuar para Serbisë duke dorëzuar një pjesë të sovranitetit në veri të vendit pasi aprovoi në heshtje vendosjen atje të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur prej Beogradit.
Blerta Deliu Kodra, deputete e kësaj partie në një konferencë për media tha sot se qeveria në largim e ka turpëruar Kosovën duke pranuar një lëmoshë prej 30 mijë eurosh nga Serbia.
Sipas saj me këtë pranim Vuçiqi merr një certifikatë pafajësie nga Kosova që pastron të kaluarën e tij dhe e bën më të pranueshëm në arenën ndërkombëtare.
Deklarata e plotë:
Qeveria e shkarkuar Kurti e filloi mbrapshtë dhe me lojëra menaxhimin e situatës së pandemisë në Kosovë dhe po e vazhdon në mënyrën më të keqe të mundshme duke dëmtuar rëndë interesat kombëtare.
Qeveria e shkarkuar Kurti është gjunjëzuar para Serbisë duke dorëzuar një pjesë të sovranitetit në veri të vendit pasi aprovoi në heshtje vendosjen atje të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur prej Beogradit.
Pa fijen e turpit, vetëm pasi PDK e denoncoi këtë akt, qeveria mashtroi me vendime pas kohe, kinse për karantinimin e komunave.
Për më tepër i dorëzoi Beogradit autoritetin shtetëror për një pjesë të territorit dhe popullsisë së Kosovës, duke lejuar hyrjen dhe veprimin brenda Kosovës të qindëra zyrtarëve të Serbisë me pretekstin e kujdesit shëndetësor.
Ky dorëzim ndaj Serbisë u përshkallëzua më tej kur Ministri në ikje i Shëndetësisë, Arben Vitia zgjodhi të bisedojë e bashkëpunojë me ministrin e Serbisë, por jo edhe me atë të Shqipërisë.
Kulmi i kësaj sjellje inferiore përkundrejt Serbisë, erdhi me pranimin e 1000 testeve donacion nga ky vend, duke ia mundësuar Serbisë që të dalë në mediat më prestigjioze të botës si faktor konstruktiv humanitar. Për ta bërë këtë çështje edhe më të rëndë, ka dyshime se këto teste janë dhuratë nga Rusia për Serbinë.
Kjo qeveri në largim e ka turpëruar Kosovën duke pranuar një lëmoshë prej 30 mijë eurosh nga Serbia. Me këtë pranim Vuçiçi merr një çertifikatë pafajësie nga Kosova që pastron të kaluarën e tij dhe e bën më të pranueshëm në arenën ndërkombëtare.
Por ajo që i vë vulën këtij bashkëpunimi të turpshëm e nënshtrues me Serbinë është futja e testeve si kontrabandë, pa respektuar procedurat ligjore dhe doganore sikur që i nënshtrohen të gjitha donacionet e tjera për Kosovën. Shteti i jonë u trajtua si pjesë e Serbisë. Madje ato u futën thuajse ilegalisht me një makinë me tabela diplomatike nga përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, Dejan Paviceviq. Fatkeqësisht, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi as që ka qenë e informuar dhe në dijeni për këtë rast.
Ne e dënojmë rëndë këtë sjellje poshtëruese të qeverisë së shkarkuar, e cila i kanë dhënë mundësi Serbisë, që nën maskën e ndihmës humanitare, të fitojë epërsi strategjike ndaj Kosovës.
Po ashtu, bëjmë thirrje ndaj të gjitha institucioneve shtetërore e mbarë opinionit publik që të angazhohen për ta ndalur këtë zmbrapsje të shtetit tonë dhe këtë avancim të Serbisë në kurriz të sovranitetit tonë dhe të pozicionit tonë ndërkombëtar.