Mjeku i QKUK-së jep detaje për operacionin në tru që i shpëtoi jetën 70-vjeçares
Në Klinikën e Radiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për herë të parë është përdorur stenti në enë të gjakut, tek pacientja 70 vjeçare me paralizë (hemiplegji) të anës së majtë si pasojë e mbylljes së enës së gjakut në tru me tromb (ACM djathtas).
Kjo sipas QKUK-së është mundësuar falë investimeve që janë bërë nga menaxhmenti i ShSKSUK për krijimin e Stroke Center dhe trajnimeve të stafit mjekësor të Klinikës së Radiologjisë.
Për të dhënë më shumë detaje në një konferencë për medie ka folur mjeku dr. Bujar Gjikolli.
Gjikolli ka shpalosur metodën e trajtimit të pacientes 70 vjeçare dje gjatë operacionit.
“Vazhdimësinë e aktiviteteve në trajtimin e infarktit në tru, të cilën tash e sa kohë kemi filluar me sukses ta trajtojmë. Në anën tjetër, pacientin e fundit që e patëm dje, një zonjë 70 vjeçare, e cila e ka humbur lëvizshmërinë e gjysmës së majte, do te thotë dorën dhe këmbën. Në kuadër të dritares kohore, ne arritëm të hyjmë që ta heqim trombin, kësaj radhe duke aplikuar një metodë më të avancuar, me përdorim të stenti retriever, i cili është një mjet që e kap dhe na ndihmon me tërheq trombin”, tha ai.
Gjikolli, tha se ky rezultat i punës, është rezultat i aktiviteteve të shumta, investimeve të shumta, si personale dhe institucionale që janë kryer me vite, dhe së fundi nga viti i kaluar që u bënë investime në aparaturë, mjete dhe materiale shpenzuese.
Ai foli edhe për gjendjen e pacientes 70 vjeçare pas operacionit.
“Ky është pacienti i pesë me të cilin kemi punuar deri tani. Pacientja ka rikthyer thuajse menjëherë pas këndelljes nga anestezioni, lëvizshmërinë e këmbës dhe dorës, fillimisht, ndërsa sot është shumë më mirë”, tha Gjikolli.