Apel për banorët e Shtimes: Ndërprisni vizitat familjare!
Në Kosovë deri më tani janë 510 persona të prekur me koronavirus.
Në tërë vendin numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 510, përderisa vetëm në komunën e Shtimes janë nëntë persona.
Shtabi Emergjent i Komunës së Shtimes, përmes një njoftimi për medie ka bërë apel te banorët që t’i ndalojnë vizitat familjare, pas rasteve të shënuara në këtë komunë.
Theksojmë, se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar të shtunën se nëntë raste të reja me COVID-19 janë shënuar në fshatin Pjetërshticë të Shtimes.
Nëntë rastet e reja vijnë nga e njëjta familje ku ka rezultuar rasti i parë.
Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:
APEL PËR NDËRPRERJE TË VIZITAVE FAMILJARE
Apelohen të gjithë banorët e komunës së Shtimes për ndërprerjen e vizitave familjare pasiqë këto po dalin të jenë edhe burimi kryesor në bartjen e infeksionit COVID-19.
Qytetarë të nderuar, keni kujdes është thirrje serioze dhe urgjente, ndërprisni vizitat, qëndroni në shtëpi, mbani distancën dhe mbani pastërtinë personale.
Shtabi Emergjent