Ditari i Albinit, 18 prill
Shkruan: Albin Mehmeti
18.04.2020, e shtunë
Dikur, prisja me padurim muajin prill. Prej që fillonte dita e parë e prillit, filloja numrin mbrapsht deri më datën 26, datë kur është ditëlindja ime. Këtë vit s’e kam bërë fare numrin mbrapsht. Në shumicën e rasteve s’e di as datën dhe rrjedhimisht s’e di edhe sa ditë kanë mbetur deri në ditëlindjen time. Tash, kur po e shkruaj ditarin për sot, e bëra një konsultim me telefonin dhe e pashë që është data 18. Deri në ditëlindjen time kanë mbetur edhe vetëm tetë ditë. Këtë vit s’e paskam emocionin e dikurshëm. Mbase, virusi po na merr edhe emocionet, t’i paçim pas ndonjëherë.
Nëse kjo pandemi ka njëmijë e një të këqija, pa dyshim se ka edhe anët e saja të ndritura. Tash, kur dita është duke zgjatur nga dyzet, pesëdhjetë e gjashtëdhjetë orë po kemi kohë të mjaftueshme të lexojmë libra e të shikojmë filma. Sonte, Teatri Kombëtar i Kosovës transmetoi shfaqjen “Budallenjtë”. Para pak kohësh pata lexuar edhe librin e Neil Simonit, dhe me padurim prisja ta shihja të inskenuar. Një fshat i tërë e bënin vetën të pamend vetëm pse dikur, dikush u kishte thënë se ata janë të mallkuar për të mos pasur mend. Ata, vazhduan të jetojnë në distopinë e tyre, duke mos bërë as përpjekjen më të vogël për ta ndryshuar të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Jetonin jetën të cilën ia determinonte dikush tjetër, një kont. Jetonin jetën, t’i thënçin jetë, me frikën që kishin nga dënimi dhe zemërimi i Kontit Jusekeviç. A thua që tani, vetë ne, të bijtë e shekullit XXI, kur epoka e kontëve të egër ka mbaruar po vazhdojmë t’i nënshtrohemi kontëve të rinj, që tani kanë emër të ri, lider partie? Mbase, shumica e bashkëkohanikëve të mi do të thonë se jo, se ne tani jetojmë të lirë e s’i nënshtrohemi askujt dhe jetën tonë e determinojmë vetë ne. Por, a nuk është determinim i jetës, kur zgjohemi, hamë, pimë, lexojmë, luajmë e flemë duke menduar se ç’tha lideri? A nuk është determinim i jetës kur një emision ku flitet për librin a një shfaqje teatrale ndiqet njëmijë fish më pak se sa një emision ku një lider llomotit e shet demagogji? A nuk është determinim i jetës kur gabimin e liderin e konsiderojmë bekim e vetë liderin e konsiderojmë shpëtimtar të botës e shenjtor e të dërguar nga Zoti? A nuk është determinim i jetës kur të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e ndërlidhim me emrin e liderit?
Numri i rasteve me COVID-19 po e arrin kulmin. Pakujdesia e kryeneçësia jonë i ka çuar shifrat e të infektuarve në pesëqind e dhjetë, krahas nëntëdhjetë e tre të shëruarve e dymbëdhjetë të vdekurve. Nuk na zë gjumi pa e kuptuar shifrat që i publikon Instituti Kombëtar i Shëndetësisë. I presim për të parë se mos vallë na është afruar virusi afër. Nuk flemë pa e siguruar vetën dhe familjen.
Sot, ishte ditë me diel dhe, shumë pak dola në oborr. Qëndrova brenda në shtëpi duke punuar në punimin e masterit që e kam për prozën e profesor Qosjes.
Ju bëftë dritë varri atij që e ka zbuluar librin. Paramendojeni jetën pa lexim e pa libra në këtë kohë pandemie. Paramendojeni ç’torturë do të ishte t’i dëgjosh vetëm fjalimet boshe të politikanëve tanë. Ç’lemeri për trurin!