Boiken Abazi: Unë ia kam shkruar fjalimin Donika Kadajt kur garonte për deputete, më ishte lutur
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, ka thënë se në vitin 2017 ia kishte shkruar fjalimin Donika Kadajt-Bujupit, në një tubim zgjedhor në Shtime, aso kohe kandidate për deputete nga partia që drejton Albin Kurti.
Sipas tij bëhet fjalë për një tubim që ishte mbajtur në Shtime e që kishte qenë vetë Donika Kadaj ajo që i ishte lutur për një fjalim të tillë.
Abazi ka thënë se po e zbulon këtë për shkak të deklaratave të deputetit të AAK-së, Bekë Berisha në një emision televiziv, të cilit po ashtu i ka thënë se mund të ia shkruajnë ndonjë fjalim nëse i nevojitet.
Statusi i plotë i Boiken Abazit:
Sot, deputeti Bekë Berisha i AAK-së paska pretenduar në një emision TV se unë i kam bërë fjalimet këto kohë deputetëve të LVV-së. Nuk kam patur privilegjin të merrem me fjalimet e tyre, dinë t’i bëjnë vet.
Si duket, Donika Kadaj Bujupi i ka folur kolegut të saj për kohën kur ishte kandidate për deputete e LVV-së në vitin 2017, dhe më kërkoi e m’u lut t’i bëja një fjalim për një tubim në Komunën e Shtimes. Ajo, pasi e lexoi fjalimin në publik, e postoi me krenari gjatë fushatës edhe në faqen e saj në Facebook.
Ka qenë fjalim që e kam bërë me gjithë zemër, sepse adresonte dhunën që kishte ndodhur ndaj aktivistëve të Lëvizjes në atë kohë në Komunën e Shtimes. Nuk mund të isha prezent në Shtime atë ditë, por përmes fjalimit që shkruajta, m’u duk që dhashë një kontribut për situatën. M’u duk sikur, pëmes fjalëve që shkruajta, isha aty pranë tyre.
Nuk e dija në atë kohë se ç’plane kishte Donika Kadaj. Por, nëse Donika Kadaj dhe Bekë Berisha i pëlqejnë fjalimet e mia, nisur nga fjalimi i Shtimes në vitin 2017, atëherë mund t’i bëj sot nga një fjalim të dyve që t’i tregojnë popullit me gojën e tyre pse tani janë pozicionuar jo vetëm kundër tarifës 100% (që e vendosën vet), por edhe kundër reciprocitetit me Serbinë. T’i bëj të dyve nga një fjalim të bukur mbi kleptokracinë e tyre.