Një tjetër shtatzëne e prekur me koronavirus në Kosovë
Në Prishtinë në mesin e të prekurve me koronavirus është edhe një grua shtatzënë.
Një grua nga Prishtina e cila është në javën e 36-të të shtatzënisë ka rezultuar pozitive me COVID-19.
Ajo është diagnostikuar me koronavirus më 11 prill të këtij viti.
Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, Jakup Ismajli.
Sipas Ismjalit, gjendja e bebes dhe e pacientes (shtatzënës) është stabile dhe se ajo është duke qëndruar në shtëpi.
Ismajli ka bërë të ditur se deri më tani në Kosovë janë dy gra shtatzëna që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
“Është një paciente, është e verifikuar që nga e shtuna. Është në javën e 36-të të shtatzënisë dhe është stabile. Nuk e ka asnjë shqetësim asnjë problem shëndetësor. Nuk ka qëndruar në Gjinekologji. Për momentin deri më tani janë të verifikuara dy gra shtatzëna në tërë Kosovën që janë të prekura me koronavirus. Njëra nga Gjakova që është në Infektive edhe kjo nga Prishtina që është në shtëpi dhe është mirë është stabile. Është në vazhdimësi duke marrë konsulta dhe këshilla nga IKSHPK-ja. Për gjendjen shëndetësore të saj dhe të bebes konsultohet me neve dhe gjithçka është në rregull. Deri më tani edhe pacientja edhe bebja janë në gjendje të mirë shëndetësore”, u shpreh Ismajli.
Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë 423 persona të prekur me koronavirus, 71 të shëruar dhe 11 të vdekur.