Hoxhaj: Serbia vazhdon t’i mbrojë kriminelët, madje i bën edhe heronj
Ish-zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka kujtuar Ditën e Eksodit Shqiptar, duke thënë se për krimet serbe në Kosovë Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e saj.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kujtuar Ditën e Eksodit Shqiptar të vitit 1999, ku ishin dëbuar mbi një milion shqiptarë nga Kosova.
Hoxhaj, ka thënë se sot kujtojmë dëbimin e mbi një milion shqiptarëve, dhjetëra mijëra civilë të vrarë dhe më shumë se 20 mijë gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Ai gjithashtu ka shkruar se edhe pse u bënë 21 vjet nga kjo datë e dhimbshme e plot vuajtje për ne, shteti i Serbisë edhe më tutje po vazhdon t’i mbajë nën mbrojtje kriminelët, duke i bërë madje edhe heronj.
Krejt në fund, ish-ministri u jashtëm tha se Kosova nuk ishte e vetme në këtë rrugëtim dhe se shqiptarët e Kosovës u ndihmuan nga i gjithë rajoni ku jetojnë shqiptarët, në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi.
Shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:
Sot shënojmë një ndër ditët më të vështira të historisë së shqiptarëve të Kosovës, Ditën e Eksodit Shqiptar. Sot, kujtojmë dëbimin e mbi një milion shqiptarëve, dhjetëra mijëra civilë të vrarë dhe më shumë se 20 mijë gra shqiptare të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Edhe pse u bënë 21 vjet nga kjo datë e dhimbshme e plot vuajtje për ne, shteti i Serbisë edhe më tutje po vazhdon t’i mbajë nën mbrojtje kriminelët, duke i bërë madje edhe heronj.
Fatmirësisht, Kosova nuk ishte e vetme në këtë rrugëtim. Shqiptarët e Kosovës u ndihmuan nga i gjithë rajoni ku jetojnë shqiptarët, në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Përjetë u jemi falenderues që na ndihmuan në ditët më të vështira!