Dyshimet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi, Lajçak i quan spekulime
I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se nuk ka dëgjuar asnjëherë për një marrëveshje sekrete të gatshme mes Kosovës dhe Serbisë, që pritet vetëm të nënshkruhet nga presidentët Thaçi dhe Vuçiq.
Ai, dyshimet për ekzistimin e një marrëveshjeje të tillë të cilat publikisht i ka shprehur kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, i ka quajtur “spekulime”.
“Nuk dua të spekuloj, unë kurrë nuk e bëj këtë. Unë nuk kam parë një marrëveshje të tillë dhe askush nuk më ka thënë se ka një marrëveshje të tillë. Unë punoj me fakte, ne kemi një agjendë të qartë përpara, kemi një dialog, e dimë se cili është qëllimi ynë, kështu që ua lë spekulimet tjerëve”, ka thënë Lajçak në një intervistë për Klan Kosova. “Unë jam i fokusuar plotësisht në atë që kam përpara, e që është dialogu, që është mandati im”.
Emisari i BE-së për dialogun ka treguar nëse do të ketë masa nga Bashkimi Evropian kundrejt Serbisë, e cila po e vazhdon kampanjën e saj për çnjohje të pavarësisë së Kosovës.
“Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë se pret nga të dyja palët të përmbahen nga çdo aktivitet i cili ka potencial ta përkeqësojë atmosferën. Ne duam ta krijojmë një atmosferë të favorshme për një rezultat pozitiv të dialogut dhe këto janë pritshmëritë tona”.
Lajçak ka thënë se është realiste të pritet një marrëveshje deri në mars të vitit të ardhshëm, por ka theksuar se më me rëndësi është përmbajtja e saj.
“Është realiste të pritet që të ketë një marrëveshje finale, është realiste të pritet që të ketë një marrëveshje të mirë, një marrëveshje që do të ndihmojë Kosovën e Serbinë në rrugën drejt BE-së, një marrëveshje të mirë për rajonin, një marrëveshje që do të përmirësojë jetën e qytetarëve në Kosovë. Se a do të ndodhë në shkurt, mars apo prill, nuk ka shumë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është kualiteti i saj”, ka thënë Lajçak.