Lajçak: Do t’i funksionalizoj marrëveshjet Kosovë-Serbi
I Dërguar i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se emërimi i tij në këtë post me orar të plotë, ndryshe nga paraardhësit e tij, është shenjë që BE-ja më nuk po e do një status quo mes këtyre dy vendeve.
Ai përveç një orari të plotë premtoi se do të japë shumë mund dhe energji, e madje edhe përvojën në përpjekjen e shtetit të tij për të hyrë në BE.
“Siç e dini shumë mirë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe bie nën portofolin e Përfaqësuesit të Lartë për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë. Ajo çfarë ndryshon me emërimin tim është se tani Bashkimi Evropian e ka një person politik i cili do të jetë përgjegjës për këtë dialog 24 orë, 7 ditë në javë. Unë nuk do të kursej kohë, mund dhe energji për t’u siguruar që ta përfundojmë me sukses këtë proces, i cili ka filluar në vitin 2011”.
“Pra, për herë të parë është një person politik, që është përgjegjës me orar të plotë për këtë dialog dhe do të thosha që emërimi im në këtë pozitë dërgon një sinjal të fuqishëm nga Bashkimi Evropian që status quo-ja nuk është e pranueshme dhe vërtet duam ta shtyjmë këtë proces përpara dhe ta përfundojmë me sukses”.
Lajçak në një intervistë në Klan Kosova tha se ndërmjetësuesit para tij kanë lënë shumë marrëveshje të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë të pazbatuara.
“Deri tani ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian nuk patën sukses në arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes dyja palëve. Ashtu siç e përmendët edhe ju, dialogu ka filluar në vitin 2011, kishte tre ndërmjetësues duke filluar me zotëri (Robert) Cooper, zonja (Catherine) Ashton dhe e fundit zonja (Federica) Mogherini, por shumë marrëveshje janë arritur dhe shumë prej tyre nuk janë duke u implementuar”.
“E para, dialogu ka rezultuar në numër të madh rezultatesh konkrete, rezultate të cilat e kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. Më lejoni të përmendi marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, integrimin e Kosovës në struktura rajonale, kodin ndërkombëtar të thirrjeve për Kosovën, integrimin e policisë, gjykatësve, prokurorëve serbë në sistemin e Kosovës e kështu me radhë”.
“Në të njëjtën kohë, ka marrëveshje të cilat janë arritur por nuk janë implementuar ende. Ne duam të shohim nga afër se çfarë është arritur, por nuk është implementuar dhe përse. Sepse ekziston një parim ndërkombëtar, një parim i marrëdhënieve ndërkombëtare i cili quhet ‘pacta und servanda”, që nënkupton se ajo që është arritur duhet të implementohet. Në të kundërtën, dështimi është dështim i të dyja palëve dhe suksesi është sukses i të dyja palëve dhe dua që ky proces të jetë një sukses”.
“Unë po e sjell në këtë proces përvojën time personale si dikush që ka punuar shumë për integrimin e vendit tim në Bashkimin Evropian, unë po e sjell njohurinë për Bashkimin Evropian, po e sjell njohurinë për rajonin dhe siç thashë, ky është një mandat me orar të plotë për mua dhe vërtet shpresoj që me ndihmën e partnerëve të mi do ta përfundojmë me sukses”.
“Nisëm më 2011, vitin tjetër bëhen 10 vjet që nga fillimi i këtij procesi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Tani është vërtet koha që ta përfundojmë me sukses”.
Lajçak, duke premtuar implementimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë që janë nënshkruar, por jo zbatuar, tha se të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për këtë.
“Nga të dyja palët thuhet se ana tjetër nuk është duke e implementuar pjesën e vet të marrëveshjes. Ashtu siç e thashë, jam duke e shfrytëzuar këtë kohë, kur jemi të gjithë të mbyllur në shtëpi, që t’i analizoj në detaje marrëveshjet e mëparshme dhe po e diskutojmë me ekipin tim se çfarë është bërë, çfarë nuk është bërë dhe përse. Dhe kur ta kemi mundësinë të takohemi bashkë me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, do t’i analizojmë këto marrëveshje dhe do të analizojmë përse këto marrëveshje, të cilat ende nuk janë zbatuar plotësisht, kanë ngecur, dhe çfarë duhet të bëhet që ato të implementohen”.
Por për Lajçak duhet të jetë punë e kryer çështja e implementimit të marrëveshjeve.
“Kështu që nuk do të dërgoj ndonjë mesazh në këtë mënyrë (përmes skype), por definitivisht, ajo që është arritur duhet të implementohet. Dhe të mos harrojmë; marrëveshjet nuk janë diskutuar dhe nënshkruar për vetveten (njëanshëm) por ato duhet të përmirësojnë raportet mes Kosovës e Serbisë, ato duhet të ndihmojnë Kosovën dhe Serbinë në rrugën e tyre evropiane dhe ato duhet të përmirësojnë jetën e qytetarëve, që është gjëja më e rëndësishme”.
“Dhe këto marrëveshje që janë duke u zbatuar, po tregojnë qartë që janë duke e përmirësuar jetën e qytetarëve. Një shembull është qarkullimi i mirë i mallrave që nga 1 prilli, dhe bashkëpunimi i mirë në luftën kundër Covid-19”.
Megjithatë, Lajçak në Rubikon tha se secili i dërguar i BE-së që pati të njëjtin rol si ai është munduar maksimalisht për raportin e Kosovës dhe Serbisë.
“Unë jam plotësisht i sigurt se çdokush që është pjesë e këtij dialogu, është shumë i përkushtuar në këtë dialog dhe ne do të analizojmë atë, siç thashë më parë. Unë nuk besoj në lojën për hedhje të fajit te tjetri. Ne do të analizojmë përse disa nga marrëveshjet nuk janë duke funksionuar dhe çfarë duhet të bëhet që të fillojnë të funksionojnë. Unë jam optimist për këtë.