Dita e parë e masave të reja, ministri Vitia falënderon qytetarët për bashkëpunim
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim, të cilët po qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Deri sa ai ka thënë se janë duke monitoruar çdo orë gjendjen dhe po bëjnë trajtimin e çdo vështirësie që po paraqitet.
Ky është postimi i tij i plotë:
Të gjithë bashkë për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit
Të nderuara qytetare dhe qytetarë,
Sot dëshirojmë vetëm t’ju falenderojmë:
T’ju falenderojmë për bashkëpunimin tuaj duke qëndruar në shtëpi në këto kushte të vështira, ndihmoni realizimin e masave të ndërmarra për të mbrojtur jetën dhe shëndetin.
T’ju falenderojmë ju qytetarë që përbëni efektivin e Policisë së Kosovës.
Ju qytetarë që jeni mjekë, infermierë, epidemiologë, laborantë, mami, si dhe ju që përbëni të gjithë stafin mbështetës.
Ju qytetarë që keni sot përgjegjësinë e lartë të të qenit kryetarë të Komunave, ose të jeni staf i tyre.
Ju qytetarë që realizoni tërë veprimtarinë biznesore, prodhuese e tregtare, që siguroni prapavijën e rezistencës sonë të përditshme.
Ne po e monitorojmë çdo orë gjendjen dhe po trajtojmë me përgjegjësi çdo vështirësi që po paraqitet.
Do të përpiqemi t’i përgjigjemi çdo pyetjeje që do të na vijë prej jush me qartësinë e nevojshme dhe shpejtësi.
Më e rëndësishme se kurrë më parë është: angazhimi kolektiv dhe adresimi profesional.
Ju faleminderit edhe njëherë.
Së bashku edhe njëherë të mobilizuar për të mbrojtur të drejtën absolute, të drejtën e jetës.