Shiste “ilaçin” kunder koronavirusit, arrestohet gjilanasi
Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Gjilan, gjatë ditës së sotme ka ndaluar për 48 orë një të dyshuar nën dyshimin për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’”.
“I dyshuari K.A., përmes rrjetit social ‘’Facebook’’ ka prezantuar një bar, duke theksuar se me atë produkt shërohet Coronavirusi, i cili edhe e ka prezantuar mostrën e barit, me ç’rast e njëjta është konfiskuar dhe do të dërgohet për analizë në Institutin Bujqësor të Kosovës “- njofton Prokuroria Themelore e Gjilanit .
K.A para disa ditësh ka publikuar një informacion në rrjetin social Facebook me mbishkrimin:
“Gjithashtu, i dyshuari K.A., më 06 prill 2020, në profilin e tij në rrjetin social ‘’Facebook’’, ka publikuar informacion me mbishkrim ‘’Përshëndetje, a ka vullnetar të infektuar me corona virus që do të perdorë barin që e bëjë unë në bazë bimore. Veprimi i barit: specter të gjerë kundër viruseve, veprim kundër replikimit të virusit brenda qelizës, stimulon sistemin imunitar për të luftu infeksionin. Bari përdoret vetëm një javë, nuk ka efekte anesore (nuk janë te njohura, bari është falas sasia e kufizuar). Imuniteti formohet brenda 10 dite”.
Tek i dyshuari gjatë bastisjes nga inspektorët policor dhe farmaceutik janë gjetur 45 litra alkool etilik 95 përqind pa prejardhje, me ç’rast i njëjti është sekuestruar dhe është dorëzuar në Doganën e Kosovës.