Trajtimi eksperimental në pacientët me koronavirus që po ia kthen shpresën Italisë
Për gati një muaj, Italia kishte numrin më të madh të vdekjeve lidhur me koronavirusin në botë, duke i dale në krye edhe Kinës, epiqendrës së virusit.
Por tani mjekët shpresojnë ta kthejnë vuajtjen e Italisë në avantazhin e saj, raporton CNN.
Vendi po i vendos shpresat në trajtimin nëpërmjet plazmës së gjakut të të mbijetuarve nga Covid-19 për të ndihmuar ata që vuajnë më shumë nga virusi pandemik.
“Ka diçka të mirë nga ky trajtim”, tha Dr. Fausto Baldanti. “Ne patëm një shpërthim kaq të madh të rasteve, tash kemi shumë donatorë të mundshëm”.
Njerëzit që shërohen nga infeksioni, ose të cilët testuan pozitiv, por kurrë nuk kanë përjetuar simptoma, zhvillojnë antitrupa në plazmën e tyre të gjakut. Këto antitrupa mund të transferohen në një pacient tjetër, të cilat mund të ndihmojnë në neutralizimin e virusit në trupin e marrësit.
Për dekada të tëra, mjekët kanë përdorur plazma gjaku nga pacientët e rikuperuar për të trajtuar të infektuarit rishtazi.
Baldanti është një virolog në Spitalin e Universitetit të Pavia San Matteo në rajonin verior të Lombardisë të Italisë, i cili ka kontrolluar shumicën e rasteve dhe vdekjeve në vend. Ai shpreson se “ky trajtim plazmatik mund të jetë i rëndësishëm për kontrollin e infeksionit tek pacientët e pranuar në njësitë e kujdesit intenziv”.
Kjo mbetet vetëm teori, sidoqoftë. Trajtimi është ende në fazën eksperimentale në Itali.
Kjo gjë varet nga zhvillimi i një testi të provuar për antitrupat koronavirus – i cili nuk është ende i disponueshëm. (Në Shtetet e Bashkuara, Administrata e Ushqimit dhe Barnave shtrëngoi kufizimet në testet e antitrupave, për shkak të mos-efikasitetit të testeve të mëhershme).
Testet e antitrupave, të njohura gjithashtu si teste serologjike, nuk diagnostikojnë infeksion aktiv. Përkundrazi, ato kontrollojnë proteinat në sistemin imunitar – antitrupat – përmes një mostre gjaku.
Prania e antitrupave mund të thotë se një person ka të paktën njëfarë imuniteti – megjithëse ekspertët nuk janë të sigurt se sa i fortë mund të jetë ose sa do të zgjasë.
Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare Italiane të Gjakut shpreson të ketë një test gati brenda disa javësh.
“Ne duhet të kemi një testim serologjik (test gjaku), i cili është aprovuar për të testuar nëse dikush ka antitrupa, deri në fund të muajit prill. Ne do të fillojmë zgjedhjen e donatorëve të parë deri në fund të muajit,” tha Giancarlo Maria Liumbruno për CNN.