Këto do të jenë temperaturat për ditët në vazhdim
Deri në fundjavë kryesisht me diell dhe më ngrohtë. Në fillim të javës së ardhshme priten reshje shiu, temperaturat në rënie.
Pas kalimit të frontit të ftohtë, mbi rajon kanë filluar të shtrihen zona anticiklonike nga pjesët qendrore të kontinentit, të cilat ditëve në vijim do të favorizojnë mot kryesisht me diell, edhe pse nga fundjava herë-herë do të ketë edhe vranësira, bën të ditur Prishtina Weather.
Ndërkohë, masa të ngrohta ajrore do të depërtojnë edhe mbi vendin tonë duke sjellë mot të ngrohtë dhe rritje të temperaturave, ku ditëve të fundjavës mund të arrijnë edhe deri në 24C, njofton shërbimi i meteorologjisë.
Sipas PW, “në fillim të javës së ardhshme situata sinoptike do të ndryshojë, ngase masa të ftohta ajrore nga verilindja e kontinentit pritet të depërtojnë mbi rajon, që do të sjellin rënie të ndjeshme të temperaturave dhe mundësi për reshje shiu”.
PW thekson se “cilësia e ajrit ditën e sotme është përmirësuar duke zbritur edhe në vlera të mira. Ditëve të ardhshme vlerat ditore do të luhaten përreth vlerave mesatare, por kohë pas kohe vlerat e çastit vende-vende mund të kalojnë edhe në të pashëndetshme”.
Parashikimi për periudhën 16-20 prill:
16.04 – Kthjellët dhe me diell. Në mëngjes ftohtë me ngrica, e ditën mot i ngrohtë.
17.04 – Në mëngjes vranësira kalimtare. Ditën kryesisht me diell dhe ngrohtë.
18.04-19.04 – Në fundjavë mot i ngrohtë, kryesisht me diell, e ditën e diel edhe me vranësira, kryesisht të shtresave të larta.
20.04 – Më freskët, kryesisht me vranësira. Mundësi për riga lokale shiu.
Temperaturat minimale ditën e enjte mund të zbresin deri në -1C, e deri në fundjavë do të rriten në 7C. Temperaturat maksimale në rritje, nga 19C deri në 24C. Ditën e hënë do të pësojnë rënie edhe deri në 10C më pak.
Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-3m/s.
Shtypja atmosferike do të rritet lart mbi vlera normale, e nga dita e premte do të pësojë rënie graduale.