KONSPIRACIONI
Rrugën frikshëm të shkretuar e bënte edhe më të zorshme ora policore – kalimi nëpër rrugët kryesore ishte pothuajse i pamundur, ndërsa kalimi nëpër rrugë dytësore a tretësore ishte edhe më i rrezikshëm, pasi zgjonte kureshtjen e njerëzve që mbanin kryet në dritare dhe regjistronin gjithçka, e kishte rrezik me njoftu policinë, jo se ishin qytetarë të ndershëm dhe denonconin shkeljen e orës policore, por ose lakmonin që dikush kish dalë në atë kohë ose kishin frikë se mos lëviznin hajnat dhe kishin frikë për sigurinë e tyre. Sapo e përshkova qytetin, duke kalu nëpër rrugica, i fika dritat e veturës dhe lëvizja nën dritën e hënës. S’e di nëse e kisha nga frika apo nga çka tjetër, por kisha kriju njëfarë besimi dogmatik te hëna, një besim pothuaj religjioz, edhe pse besëtytë nuk isha. Hënën e kisha pasë deshtë qysh si fëmijë. Së paku ashtu më kishin thënë prindërit. Në rrugën dytësore kah kisha vendosë me shku me dritat fikur, nuk shihej asnjë veturë tjetër. Ndonjë kalimtar aty – këtu që dukej sikur kishte dilemë a me më kërku me e marrë në veturë a jo, por kur u kujtohej që dritat i kisha të fikura hiqnin dorë përfundimisht dhe sikur nguteshin të gjenin një mundësi për të njoftu policinë ose banorët e fshatit se dikush po lëvizte me dritat fikur. Ndizja dritat sa për t’ua heqë frikën dhe vazhdoja gjoja qetësisht rrugën time, duke hapë dritaren e duke bë sikur shkundja cigaren jashtë, sa për të manifestu njëfarë sigurie e qetësie. Isha paksa pishman që nuk u përpoqa më shumë pë t’i bindë anëtarët e tjerë të familjes sime, gruan, vajzën e djalin që të vinin me mua. Ndoshta do t’i kisha bindë, por nuk kishte më kohë. Jo se më duheshin kushedi se sa, pasi mosbesimi i tyre ndaj idesë sime më bënte të bindur se thjeshtë ishin çu peshë dhe kishin humbë besimin dhe çkado të ndodhte ishte përgjegjësi e tyrja, se tekefundit, të rritur ishin që të tre.
– Pashë nji Zot qysh mundesh me kqyrë filma si Betmeni e Spajdermeni?
– Pse, bre, çka ka të keqe?!
– Qysh bre çka ka të keqe?! A e ke pa Supermenin? Po. Pse të duhet me kqyrë kopjet e tij të zbehta?
– Nuk janë kopje. S’kanë lidhje ndërmjet vete dhe në fund të fundit, nuk janë kopje, pasi Spajdermeni ka dalë para se me dalë Supermeni…
– Eiii, le pashë Zotin mos m’u shit i mençëm pa lidhje. A e di kur e kam kqyrë unë Supermenin? Ti as ke qenë i lindur atëherë.
– More qe ku e ke dëshminë.
– Fore të portaleve a? Edhe këtë fakt e paskan falsifiku a?!
– Haj Zot. Bab, po m’doket je mërzitë tuj nejt mrena.
– Shih tash ti po ma bon psikologun a. Kur ti ke nisë me lexu, unë e kam lanë leximin.
– Argument i fortë, hahahaha.
– Edhe po qesh me mu?! Po mirë, s’ki faj…
Ishte vetëm dita e tretë a e katërt që kur institucionet kishin mbyllë shkollat dhe kishin urdhëru mbylljen brenda. Virusi po përhapej me shpejtësi dhe dihej pak për të. Në Itali po vdisnin qindra njerëz brenda ditës dhe pamjet nga atje ishin të frikshme. Në Francë u shpall gjendje e jashtëzakonshme. Në Shqipëri gjendje e jashtëzakonshme, në Serbi po ashtu, në Maqedoni kishin vdekur disa të infektuar. Mendova me shku në katund, por atje nuk jetonte më askush dhe unë duhej të rehatohesha te ndonjë kushëri. Kushedi nëse ata ishin të infektuar tashmë. Më mirë të rrija në banesën time në Prishtinë – edhe ashtu nuk shkonim mirë më fqinjët, madje ndërtesa jonë tashmë ishte pothuaj e zbrazët, vetëm nja dy a tri familje kishin mbetë aty, pasi shumica kishin ikë në fshatrat e veta apo nuk jetonin fare aty dhe vinin vetëm gjatë verës. Unë punoja infermier në spitalin e qytetit. Dy ditët e para shkova në punë. Pastaj hëngra patate të paziera dhe e rrita e temperaturën mekanikisht e u paraqita në punë. Kur më panë të skuqur e të djersitur më thanë të izolohesha deri sa të gjenin mundësinë për të më testuar. “Tekefundit, vetë je punëtor shëndetësor dhe kujdesesh për veten, pasi këtu je edhe më i rrezikuar”, më tha drejtori. Atë ditë ndenja në punë, por jo në klinikën ku punoja. Arrita të hyja edhe në laboratore, pasi askush nuk dyshonte dhe të gjithë më njihnin. Të nesërmen u mbylla në shtëpi dhe as dola fare për disa ditë. Hanim bukë të ftohtë nga ato që kisha ble ditën e fundit që dola. Miell nuk gjeta. Nuk kishte askund. Kolonat e njerëzve që pritnin për miell ishin shpresëkëputja ime. Uria nuk durohej. E kisha provu në luftë, vetëm 20 vjet më parë. Nuk gjendeshin maska e as dorëza. Ilaçe kisha, por nuk guxoja të merrja paracetamol, pasi doja ta ndieja në rast se do të kisha temperaturë, pasi ajo e patateve tashmë kishte kalu. Koka më dhimbte çdo ditë, por nuk pija vetë as i lija gruan e fëmijët të merrnin hapa pasi kisha frikë se do t’i mbulonin simptomat e shfaqjes së virusit. Isha i bindur se nuk ishim ende të infektuar. Gruaja shkoi në punë disa ditë. Pastaj hyra në postelin e saj dhe i shkrova drejtoreshës së saj në emrin e saj dhe i thashë se kisha vuajtë nga tuberkulozi dhe të të dy prindërit më kishin vdekë nga diabeti, prandaj kisha frikë që nëse do të infektohesha, pasojat do të ishin fatale. Drejtoresha ma ktheu postelin me shumë mirëkuptim, ku i jepte asaj një javë leje nga puna, por e fshiva pasi gruaja nuk dinte gjë. Hapa një postel me emrin e drejtoreshës dhe i dërgova gruas sime një postel ku e njoftoja në emër të drejtoreshës se me vendim të menaxhmentit ajo ishte e liruar nga puna për një muaj, pasi punonim me staf të reduktuar dhe meqenëse burri i saj, domethënë unë, punonte në spital dhe e kishte detyrim paraqitjen në punë, ajo ishte e liruar që të kujdesej për familjen. Pastaj ia çova drejtoreshës një postel nga adresa ime bashkë me një dokument në të cilin vërtetohej se unë dhe gruaja ishim të infektuar, por e luta të mos i tregonte as gruas dhe askujt tjetër, pasi informatat ishin konfidenciale dhe ajo u bind se çfarëdo verimi tjetër do të ishte shkelje e fshehtësisë së të dhënave zyrtare dhe e të drejtave të pacientit.
Pas katër ditësh kur më nuk kishte bukë, dola deri në furrë e u ndala edhe në dyqanin më të afërt. Bukë bleva, por miell s’kishte as për ilaç. Kjo ishte shenjë e keqe. Do të vdisnim urie për pak ditë. Furrtarët mund t’i mbyllnin furrat për mungesë mielli ose thjesht për t’u ruajtur nga virusi. Çfarë do të bëja unë. Ku do të gjeja bukë, tash kur edhe fshati ishte në karantinë dhe shkuarja atje paraqiste rrezik për shëndetin dhe jetën time. Ata kanë imunitet më të lartë, e ne të qytetit… Sidoqoftë, ua kisha marrë çelësat gruas, djalit e vajzës dhe dilja vetëm unë për të blerë, i mbështjellë me maskë, dorëza e syze dhe e mbyllja derën pas vetes. Po sikur vërtet të ndodhte kriza e bukës, kush do t’i ndalte njerëzit të na sulmonin nëpër shtëpitë tona? As armë në banesë nuk kisha…
– A mundesh me hangër me gojën mbyllë e mos me u mbllaçitë?
– Nuk po mbllaçitem as nuk po ha bile.
– Po çka është ajo zhurmë?
– Po marr frymë, kurrgjë tjetër.
– Normal që merr frymë ashtu se nuk po vishesh trashë, normal që ftohesh, pastaj edhe përzihen simptomat. Ku me ditë tash a je infektu a je ftofë. Ke me na marrë në qafë me këtë kokëfortësi…
– Pse s’po e lëshon televizorin?
– Pse me lëshu? Lajmet i lexoj në portale.
– Jo s’e kam për lajme, po nuk të pengon frymëmarrja jonë.
– Ahaa, domethënë ju po më penguakeni ?! E për kë e kam gjithë këtë shqetësim? Për vete a? Jo bre, se i kam ba do vjet unë, po për ju e kam.
– Okeeej.
– Ah po del, domethënë po i ikë bisedës se s’ke argumente. Lehtë është me ikë e vështirë me u përballë me fakte?
– Ok, qe u ktheva, ami argumentet e faktet?
– Qysh ami argumentet e faktet. Kështu flitet me babën a?
– Okej më fal pra!
– Ah, tash rrafsh a po? Po s’i faj ti, se as bukë s’del me ble se le mo me të interesu se çka po ndodh nëpër botë. Unë po të kallxoj çka po ndodh e ti më thu paranojak.
– Asnjëherë s’të kam thanë paranojak.
– Domethënë unë po rrej?
– Jo, por paranojak s’të kam thanë asnjëherë.
– Jo, direkt nuk më ke thanë, por kur unë flas se çka po ndodh nëpër botë dhe pse po ndodh, ti thu se ato janë teori konspirative.
– Po mirë, mua të tilla më duken…
– E tash, pse ty të duken të tilla, domethënë edhe janë të tilla. Kjo domethënë se sa herë flas unë dhe sa herë mundohem me të shpjegu se çka po ndodh, ti vetëmevete mendon se unë jam paranojak, se jam konspirativ, frikacak etj.
– Jo jo, nuk je as paranojak, as konsiprativ as frikacak, por thjesht po lexon gjithçka, nuk po i përzgjedh pak.
– Ani ekspert, pse s’po ma bon një listë se çka me lexu e çka jo. A e di ti nëpër çka kam kalu unë. A e di që kur unë kam ardhë në Prishtinë…
– Po e di, s’ke pasë as bukë mjaftueshëm, ke ndejtë në konvikt, ke hangër bukë të pardjeshme me krypë e qepë të mbime..
– Hajgare tash me mu a. Të paskam rrejtë a? Domethënë, unë po viktimizohem, e ti si zotni gjithë ditën shtritë këtu në shpi. As bukë s’del me ble. Pse po bishtnon.
– Jo s’po bishtno,j por na i ke fshehë çelësat dhe vetë çohesh herët e del.
– Normal që dal herët se ka më pak njerz. A me dalë kur po bëhen kolonat si në dasmë a?
– Jo jo, mirë o.
– Rrafsha prapë a. Mirë e ki bre. Bash mirë e ki…
Lajmet thoshin gjithçka. Flitej se do të niste Lufta e Tretë Botërore, se virusi ishte shpikë me qëllim që njerëzit të rrinin mbyllë, në mënyrë që ushtritë të mund të përgatiteshin të papenguara dhe pa shkaktu panik dhe as reagim qytetar kundër luftës. Tekefundit, kjo dukej ashiqare, pasi thuhej gjithashtu si virusi ishte pothuajse sikur flamat, sikurse gripat sezonalë. Unë vetë isha punëtor shëndetësor dhe e dija fare mirë se sa mund të ishin të rrezikshme flamat e gripat. Flamë hesapi, pak kollë, pak temperaturë dhe kryhet. Kurrë s’kisha marrë ilaçe për grip e tash duhej mbyllë krejt bota. Po çfarë flame. Me siguri se po përgatitej diçka e madhe. Pastaj, nuk ishin për t’u nënçmu as njoftimet për një meteor që ishte nisë drejt tokës dhe pritej ta godiste diku pas një gjashtë javësh. Kot demantoheshin ato lajme, pasi nëpër internet qarkullonin fotografi të meteorit të kaltër që ishte nisë drejt tokës, por edhe plot fotografi të kolonave gjigante ushtarake në Gjermani, Itali e Rusi. Nëse ishte skenari i luftës, atëherë qeveritë tentonin t’i mbanin njerëzit mbyllë t’i frikësonin me vdekjen nga virusi, që të mos organizoheshin për të protestu kundër luftës dhe njëkohësisht i preokuponin me lajme për qindra e mijëra të vdekur brenda ditës, me fotografi arkivolesh dhe thoshin se kamionët e ushtrisë nuk ishin përgatitje për luftë, por bartnin kufomat e të vdekurve nga virusi. Nëse ishte skenari i meteorit, atëherë njerëzit duheshin mbajtë brenda, në mënyrë që ta prisnin vdekjet në shtëpitë e tyre dhe të mos u mbështilleshin nëpër këmbë qeveritarëve dhe pasanikëve që tashmë do të kishin ble vend nëpër bunkerë që mbronin nga radioaktiviteti, ku kishin ushqimet, familjet e luksin për t’i mbijetu një goditjeje fatale për tokën. Tekefundit a nuk ka mjaft filma në të cilët tregohet se kur ka rrezik nga kataklizmat dhe apokalipsat, gjithmonë gjendet vend për të zgjedhurit, qoftë në anijet gjigante që përballojnë edhe valët e tsunamit më të fuqishëm, qoftë në bunkerët e ndërtuar apostafat për qeveritarët që duhet ta drejtojnë botën pasi ne të tjerët të mbytemi nga goditja e meteorëve. Me siguri se skenari i dytë ishte më i mundshën – ky i goditjes së meteorit – pasi për luftë duhet të ketë dy palë krejt të vullnetshme, ndërsa asnjëherë nuk ndodh që të dyja palët të jenë krejt të vullnetshme dhe të mos kenë dyshime për luftën, aq sa për të mos llogaritë në reagimin e njerëzve paqedashës ose frikacakë që do të ngriheshin kundër luftës.
– M’fal, po a s’po ki çka bën tjetër veç me hangër çipsa a?
– Pse çka kanë të keqe çipsat?
– Po a je tuj e dëgju veten çfarë zhurme po bën tu hongër? A e di që mundesh me u shurdhu prej gjithë asaj zhurme që mu n’dhomë s’po më lë rehat e le mo ty që po të kërcasin ata çipsa në rranzë të veshit?
– Aiiii bab, çipsa kam hongër gjithë…
– Ke hongër, po gjithë t’kam thanë që janë shumë të dëmshëm, e gërryejnë krejt traktin intestinal dhe shkaktojnë gjakderdhje të vogla, duke e bërë krejt traktin më të ndieshëm ndaj çfarëdo depërtimi të virusit?
– Hajt se e re jam, sen s’më gjen. Po thonë që pleqtë janë ma të rrezikuar, por mos u tut ti, se s’je qaq plak.
– Hiqmu bre, po mendon se me një përqafim më zbutë dhe e mbulon krejt papërgjegjësinë që të karakterizon a. Njëjtë jeni. Te ti kam pasë mbajtë shpresa, por je tepër, tepër e papërgjegjshme.
– Pse e papërgjegjshme? Që po ha çipsa a?
– More, ju përnjimend nuk jeni në vete. Krejt kjo po ju doket hajgare, lojë dhe unë po ju dukem i çmendur.
– Jo bre bab…
– Qysh bre jo. Ai merr frymë thu që ia ke futë kokën në qese plastike, ti gjithë ditën han çipsa…
– I pari osht qe katër ditë, se veç një çips e kemi ble, bile tinëz teje…
– Aha, mir shumë, domthënë edhe tinëz e keni ble. Po e pranoni që po më punoni pas shpine. Unë s’po e marr vesh as veten se për kënd jam duke u mundu. Ju s’ma dini dhe a e di pse, sepse s’ju ka mungu kurrë kurrgjë…
– Përveç çipsave.
– A po. Mirë, qe çfarë halli e çfarë shqetësimi ke ti, në kohën kur bota është në prag të një lufte nukleare, kur një meteor i është afru tokës dhe s’kemi më shumë se gjashtë javë jetë, nëse unë nuke gjej një zgjidhje, ndërkohë që ka shumë mundësi që virusi të jetë produkt laboratorik dhe aq inteligjent sa të bëjë seleksionim të viktimave potenciale mbi bazën e informatave gjenetike. Kaq e di që ti s’merr vesh, por së paku të kishe mendu a kemi me pasë buke a miell për këtë kohë…
Në lajme flitej për përhapje marramendëse të virusit në gjithë botën. Nuk kishte më as shtretër për të sëmurët. Përzgjidheshin tashmë në bazë të moshës dhe pleqtë liheshin pa kujdes për të vdekur më shpejt, në mënyrë që të liroheshin më shumë shtretër. Fillimisht u tha se prekeshin vetëm pleqtë dhe personat me sëmundje kronike. Sa më ngjante me teoritë e Hitlerit për eliminimin e personave me nevoja të veçanta, që të mos bëheshin barrë për të tjerërt. Kisha lexu më herët se ushqimi në botë po pakësohej dhe toka nuk kishte kapacitete për të ushqyer shtatë miliardë njerëz edhe për një kohë të gjatë. Në anë tjetër, nuk ishte shpikur kot ngrohja globale e katastrofa të tjera potenciale për njerëzimin – domethënë gjithçka ishte e përgatitur me kohë e me kujdes, deri sa në fund arritën ta prodhojnë në laborator një virus inteligjent me shtatë tipare të paraqitjes, i cili saktësisht e di se cilat konstrukte të ADN-së do t’i sulmonte dhe cilat konstrukte nuk mund ta përballonin. Sa për ta bërë punën e virusit më të besueshme, në fillim njoftuan se disa aktorë të famshëm ishin infektu, madje në Australi ku numri i të infektuarve ishte i papërfillshëm, pastaj thanë se u infektu edhe një kryeministër, gruaja e një kryeministri tjetër, pastaj u dyshu edhe për presidentin amerikan. Këhtu, njerëzit do të ndiheshin barabarësiht të rrezikuar dhe nuk do t’u shkonte mendja se bëhej fjalë për një virus të prodhuar në laborator me tipare të caktuara, nga i cili në fakt ishin të mbrojtur burështetasit e fuqishëm dhe njerëzit e fuqishëm ekonomikisht të kësaj bote. Ne të tjerët mund të vdisnim. Edhe ashtu, nuk i kishim bë botës ndonjë shërbim të veçantë, ndaj mungesa jonë, jo vetëm që nuk do të merrej vesh, por do të lëshonim më shumë hapësirë për jetë – lebensraumi i famshëm i Hitlerit, kufoma e të cilit nuk u gjet kurrë dhe bota vazhdon me besu se ai e vrau veten në një bodrum në Berlin. Po të donte të vritej, do të kishte dalë në fushëbetejë e jo në bodrum, mbyllë me dashnoren e tij platonike, që kurrë s’e preku me dorë. Prandaj, kur u kriju virusi u kriju edhe vaksina kundër tij. Ajo vaksinë u është shitë krerëve të shteteve dhe milionerëve, ndaj kataklizma nuk është larg. Për disa muaj nga faqja e dheut do të zhdukeshin të gjithë personat me sëmundje kronike që janë barrë e rëndë për shoqëritë e familjet. Do të mbejtojnë të fuqishmit, të pushtetshmit dhe njerëzit me imunitet të lartë, ata që janë ushqyer shëndetshëm. Të pushtetshmit, do të strehohen diku, prandaj është urdhëruar karantinimi total, në mënyrë që pjesa tjetër e njerëzimit të mos mund ta vërente mungesën e tyre. Ata do të paraqiteshin online nëpër televizione, sa për ta dëshmu praninë dhe ekzistencën e tyre, por askush nuk do ta dijë se ku janë strehuar. Në këtë mënyrë do të krijohej lebensraumi i Hitlerit. Unë, ashtu si edhe pjesa më e madhe e njerëzimit nuk isha i përgatitur për këtë situatë, por e dija se çfarë po ndodhte. Prandaj, menjëherë kisha nisë kërkimin, duke iu lëshu pas të pushtetshmëve, njerëzve që e kishin fuqinë e pushtetit dhe të parasë. Ata do të strehoheshin diku, se ndryshe nuk kishte mundësi. Prandaj, atë natë dola me veturë dhe vëzhgoja nëse diku kishte vende grumbullimi. Kisha dyshimet e mia se ku do të mund të ishte kjo qendër, mirëpo aty nuk kishte asnjë lëvizje, përveç se lëndina ndërmjet lisash ishte sheshu së fundi, por as njerëz as makina nuk kishte dhe asnjë shenjë tjetër. Prandaj, vendosa të kthehesha në banesë – kisha harru me ua lënë çelësin e banesës….
Kthimi ishte i vështirë, më i vështirë sesa ikja, pasi qyteti i ishte karantinuar vetëm një orë pas daljes sime dhe patrullat e policisë vlonin gjithandej. Pastaj m’u kujtua një rrugë krejt margjinalizuar që përdorej nga mihja e qymyrit jo larg Prishtinës. Me dritat fikur kalova kah grumbujt e hirit e dheut dhe u lëshova nëpër nja dy fshatra me dritat ndezë dhe katër sinjalet ndezur për të krijuar idenë e urgjencës. Për fat nuk kishte policë. Pastaj kah lagjja rome hyra në Fushë Kosovë e dola në rrugën kryesore, për të dalë pas nja dy kilometrash sërish në rrugë të pambyllur dytësore të një lagjeje të re dhe arrita në banesë.
– A e zbulove Arkën e Nojës a anijet kineze të filmit “2012”?
– Nuk është se nuk zbulova asgjë. Bon hajgare ti me mu..
– More shyqyr që erdhe e s’të kanë arrestu në këtë kohë se na kishe bo telashe. Plus na ke lanë mshelë…
– Se keni mbetë keq pa dalë. Se po dilni kur po keni çelës. Unë po dal. Qe u ktheva, ama kam me e gjetë vendin se diku është ai vend.
– Po çfarë vendi more, trus rri n’shpi si krejt bota. Ose edhe ma mirë shko në punë e ndoshta e ndihmon ndonjë pacient në këtë situatë.
– O s’po du m’u dokë si budallë, si figurë shahu në lojërat konspirative.
– Ti nuk je mirë. Me më ngu mu, çohesh e shkon në punë edhe hupë kohë pak edhe s’ke kohë me lexu gjithë ditën nëpër internet gjithfarë teorish konspirative.
– E di unë më mirë se ti këtë punë.
– Po ti përnjimend nuk je mirë.
– E di që s’jam mirë se me qenë mirë, unë i kisha nisë hulumtimet me kohë dhe e kish zbulu deri tash…
– S’ki çka zbulon se s’është punë për ty.
– Qysh moj jeta ime dhe e familjes sime s’qenka punë për mu.
– Aaa jeta e familjes u pa. Ti ike prej shpie sot, por s’paste çare pa u kthy. Pse u ktheve?
– U ktheva për ju.
– Hahaha, çu shko në punë ma mirë të bjen.
Ajo nuk dinte çka dija unë. Unë tashmë kisha vendosë kontakte me njerëz nga vende të ndryshme të botës, të cilët mendonin njëjtë si unë. Edhe ata ishin vënë në kërkim të vendeve të tilla. Po planifikonim që sapo t’i zbulonim vendtakimet sekrete, ta alarmonim botën dhe ta dekonspironim tërë këtë konspiracion global. Presioni ynë do t’i detyronte që të tregohej vaksina, të shpërndahej nëpër botë dhe të shpëtohej çka mund të shpëtohej, tash kur gjërat ishin keqësuar aq shumë, sa njerëzit kishin nisë me e marrë ligjin në duart e veta.
– A u kthy supermeni a?, u dëgjua djali.
– Hahah popo u kthy se ku ka me shku, ia ktheu e ëma.
– A u kthy Azreti Nuha a? A e kish maru anijen?, tha vajza.
– Le mos ngacmo, le të qetësohet, ia ktheu e ëma.
E di që më mendonin për të çmendur, por një ditë unë do të isha heroi i tyre, sapo ta gjeja vendgrumbullimin e të pushtetshmëve, vendin prej ku do të niseshin për në vendin sekret, duke na lënë ne të tjerëve në mëshirën e virusit e pastaj të ktheheshin për të na robëru. Unë Supermeni nuk jam, por jam njëri prej tyre dhe do ta shpëtojmë botën. Noja a Nuha nuk jam dhe nuk mendoja se mund të tërhiqej paralele ndërmjet kohës së Arkës së Nojës dhe kohës së sotme. Këta kanë bërë streha sekrete ndërsa Noja i paralajmëronte njerëzit për rrezikun dhe daljen nga rruga. Ai e bëri Arkën i vetëm, duke u përqeshë nga të tjerët. Këtë mundohesha ta bëja edhe unë, jo duke e bërë Arkën se s’kisha aq fuqi, por duke ia hapë sytë njerëzimit që po shfarosej.
Mirëpo, paraprakisht duhej ta gjeja vendin se ku do të bëhej grumbullimi ose strehën. Ata ose do të shkonin diku, që do të thotë kishte një vend grumbullimi ose do të futeshin në një strehimore, jo nga këto të qytetit të cilat i dinim tashmë nga lufta e fundit, edhe pse kurrë s’kishin guxu me u futë në to, por tash ishte ndryshe. Tash duhej të ruheshim nga një armik krejt i padukshëm, por po aq i pamëshirshëm, i cili nuk përzgjidhte se në cilin trup të futej, por jo në të gjithë trupat qëndronte njëjtë.
Tash kish ardhë momenti që të nisesha në udhëtimin tim të dytë, pasi kisha rënë në kontakt edhe me njerëz të tjerë që mendonin si unë, por të gjithë kishin emra të çuditshëm, emra që edhe më herët më kishin ardhë për t’i pranu në facebook, por duke mendu se ishin profile të rrejshme, as e kisha marrë mundimin t’i pranoja. Kodi ishte “shelter” dhe ai kod duhej të gjendej në ndonjërin nga pesë postimet e fundit. Prandaj, kur më vinin emra të çuditshëm, htja dhe ua shikoja profilet dhe nëse në pesë postimet e fundit e gjeja fjalën “shelter”, atëherë i pranoja dhe nisnim bisedën, ndonëse jo pa frikë, pasi unë isha i bindur se policia te ne ose diku tjetër i kishte rënë në fije këtij kodi. Fatmirësisht përveç njërit a njërës, të gjithë të tjerët ishin nga vende të tjera, qoftë nga Europa apo nga Amerika.
Tani që thuhej se kishim hyrë në pikën kritike të thyerjes së pandemisë, ishte momenti që të gjeja vendgrumbullimin ose të hiqja dorë përfundimisht e ta prisja vdekjen a shërimin në banesën time, me njerëzit e mi. Në punë kisha dalë disa ditë, por meqenëse nuk isha shumë i nevojshëm në repartin tim dhe meqë i tërë spitali ishte vënë në shërbim të klinikës infektive, unë kisha pak punë dhe kryesisht ndihmoja ku më thoshin se kishte nevojë për mua. Zakonisht bartja mostrat e testimeve nga një repart në tjetrin dhe m’i jepnin edhe të dhënat me rezultatet në mënyrë që pastaj pacientët të sistemoheshin e risistemoheshin nëpër klinika varësisht nga rezultati. Kontakti im që ishte nga Kosova më kërkoi që të përgatisja dy a tre lejekalimi mjekësh e infermierësh, në mënyrë që të mund të operonim më lirshëm, që domethënë mund të lëviznim lirshëm në kërkim të strehimores apo vendgrumbullimit. Ishim në një fazë serioze prandaj duhej kujdes i madh dhe komunikim minimal e i shifruar.
Pasi kisha ble mjaft ushqime, nxora para në bankë dhe kartelat bankare i lashë në shtëpi, një mbrëmje bëra sikur më thirrën në punë dhe dola duke i thënë gruas se tash që masat e lëvizjes ishin ashpërsuar në maksimum, und të ndodhte të mos kthehesha nga puna nja dy a tri ditë, por për çdo eventualitet telefonin e kisha me vete dhe mund të komunikonim. Isha kujdesur që të dukesha më i qetë dhe nuk grindesha me gruan e fëmijët dhe ata ishin bindur tashmë se ajo kishte qenë një krizë imja fillestare në kushtet e reja të izolimit dhe se unë kisha hequr dorë nga zbulimi i konspiracionit të madh. Dola më këmbë, pasi personi i koduar më priste në dalje të qytetit, pikërisht në afërsi të spitalit. Për të mos dyshuar se ku po shkoja, vajza më afroi me veturë deri te spitali dhe u kthye. Unë vazhdova edhe pak më poshtë dhe e njoha veturën siç ma kishte përshkruar personi me të cilin kishim komunikuar me kode për të mos u zbuluar nga të tjerët. Hyra në veturë ku pashë një person që kishte maskë bojëgjake që i mbulonte hundën, gojën e mjekrën, si dhe syze dioptrike me xham që errësohej nga drita. Edhe unë isha me maskë e me dorëza. Nuk foli, por bëri me shenjë kah ora e dorës dhe ngriti dy herë nga pesë gishta, me çka kuptova se duhej të prisnim edhe dhjetë minuta. Pas dhjetë minutash erdhi një autoambulancë që u ndal prapa nesh dhe personi ma bëri me shenjë të dilnim nga vetura jonë e të hipnim në autoambulancë. “Plan i zgjuar”, mendova me vete. Tashmë kishim leje lëvizjeje si personel shëndetësor, kishim një autoambulancë dhe mund të lëviznim lirshëm. Kush do të na ndalte a kush do të dyshonte, në kohën kur mjekët e infermierët ishin më të çmuarit. Në autoambulancë ishin edhe tre persona të tjerë të gjithë të maskuar në të njëjtën mënyrë. Kjo do të thoshte se ishim përgatitur mirë. U nisëm. Nja 15 minuta nuk foli askush. Policia as na shikonte as na ndalonte. Pas 15 minutash ai që më pati pritur në veturë tha se kisha pasë të drejtë kur kisha shkru në facebook se bëhej fjalë për konspiracion dhe se e gjitha ishte një lojë e madhe globale. Më kishte lexu më kujdes dhe dinte shumëçka për mua. Më dritat ndezur, pasi kaluam një postbllok policie ku vetëm shoferit i kërkuan dokumentin e identifikimit dhe e lëshuan, u afruam afër një ndërtese. “Të jetë ky vendgrumbullimi?!”, pyeta veten, pa bëza. Tek që erdhën me kaq siguri, këta e paskan gjetë më herët, po unë ç’iu desha…
Vetëdija m’u kthye në spital. Kokën e kisha të lidhura dhe ndieja dhimbje të fortë mbrapa. Tashmë ishte ditë. Mjekë e infermierë më kishin rrethu. Kishte edhe policë. Më vonë, pasi më morën në pyetje, kuptova gjithçka. Më kishin gjetë në hyrje të një qyteze nja tridhjetë kilometra larg Prishtinës.
Hyra në facebook për të komunikuar me kontaktet. Ai e kishte mbyllë llogarinë dhe nuk mund ta gjeja. Disa kontakte të tjera nga India, Kina, Italia e Shtetet e Bashkuara ende e vazhdonin luftën e tyre për t’ia dëshmuar botës se ishte konspiracion. Nuk dija nëse duhej të flisja me ta. Pjesën tjetër të ditës e kalova në facebook duke pritë se mos shfaqej kontakti im, por asgjë e re, veç lajmeve të zakonshme e të pazakonshme: 39 raste të reja infeksioni, dy të vdekur, 14 të shëruar, ankesa nga komunat për mungesë pajisjesh, arrestime për shkelje të rregullave të lëvizjes, arrestime për kanosje, zjarr në një shtëpi në Prishtinë, një bankë e plaçkitur në një qytezë, dhunë në familje, shoqëruar me këshilla nga psikologu për sjelljet në kushte karantinimi, mësimi online vazhdon…. bankë e plaçkitur?! Kamerat kishin regjistruar një autoambulancë dhe katër persona të maskuar si mjekë…
Tashmë, e kisha gjetë edhe vendgrumbullimin, e kisha zbulu edhe konspiracionin global. E kisha ndërtu edhe arkën e Nojës – ishte banesa ime.