Haziri thotë se leja e Sveçlës dhënë deputetëve është përtej “mashallahut”
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, ka thënë se leja që ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, iu ka dhënë deputetëve për të dalë në seancë të Kuvendit, është përtej “mashallahut”.
Në Klan Kosova, ai ka theksuar se në situatë të gjendjes së jashtëzakonshme, deputetët i kanë detyrat e definuara.
“Kur ministri i Punëve të Brendshme del njëanshëm pa i thënë askush dhe u jep letre deputetëve për të dalë në seancë të ftuar nga kryetarja e Kuvendit – është përtej mashallahut”.
“Sjellja e tillë nuk guxon të ndodhë. Në situatë të gjendjes së jashtëzakonshme, deputetët, kryetarët e komunave dhe njerëzit e zgjedhur me emergjencat civile, i kanë detyrat me shkrim të definuara. Nuk pres të ma definojë dikush detyrën time – unë e di saktë në situatën e emergjencave të shëndetit publik – detyrën e kryetarit të Komunës”.
“Nuk ka të drejtë Sveçla të ma ndalojë lëvizjen e lirë sepse unë e kam detyrë kushtetuese për ta zbatuar. Deputeti është i lirë dhe nuk iu nënshtrohet rregullave të emergjencave”.
I pyetur se a po i vjen era diktaturë këtij veprimi, Haziri ka thënë se shenjat nuk janë të mira.
“Sjellja në situata emergjente ndryshon; pushon funksionimi i demokracisë së rregullt parlamentare. Por refuzimi në njërën anë, për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe në anën tjetër, aplikimi i masave të jashtëzakonshme – është tejkalim i frymës kushtetuese sepse ministri nuk ka të drejtë të shpallë gjendje në tërë territorin e vendit”.