Lagja Thaçi e Burojës pret rezultatin për koronavirus të 28 personave
Para pak ditësh, edhe komuna e Skenderajt konfirmoi rastet e para me koronavirus.
Të infektuarit vijnë nga lagja Thaçi e Burojës, që është edhe fshati i vendlindjes së presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
E pas konfirmimit të këtyre rasteve, komuna është vënë në lëvizje për identifikimin e kontakteve të personave që janë konfirmuar me COVID-19.
Leutrim Sahiti nga komuna e Skenderajt, për lajmi.net ka thënë se mostrat e para të marra nga kontaktet e personave që u konfirmuan me COVID-19, tashmë kanë dalë negative.
“Menjëherë pas konfirmimit të rasteve në komunën tonë, ne jemi angazhuar në identifikimin e kontakteve të personave të prekur. Analizat e dërguara për disa nga kontaktet, përfshirë edhe punëtorët e dy marketeve në Burojë, kanë dalë negative”, ka thënë Sahiti.
Ndërkaq, Sahiti nga informacionet e marra nga drejtoria e Shëndetësisë, ka thënë se rezultatet edhe për 28 persona të dyshuar me koronavirus, nga Buroja pritet të dalin sonte.
“Janë edhe 28 mostra që janë marrë, jo të familjarëve të ngushtë por të lagjes e që pritet të dalin tanimë rezultatet. Pra rezultatet për familjarët e ngushtë kanë dalë negative”, ka thënë në fund Sahiti.
Ndryshe, aktualisht Malisheva është komuna më e prekur nga koronavirusi në Kosovë, pasuar nga Ferizaj e Prishtina, qytete këto që tanimë gjenden në karantinë.