Kërkohet shtyrja e testit të maturës në Kosovë
Derisa kanë mbetur edhe rreth 1 muaj kur maturantët do të duhej ta përfundonin vitin shkollor, drejtues të institucioneve arsimore ende nuk janë njoftuar se çfarë do të ndodhë me testin e maturës.
Drejtorë të arsimit në komuna po kërkojnë që të shtyhet mbajtja e këtij testi pasi konsiderojnë se në rrethanat aktuale nxënësit e kanë problem të përgatiten për të.
Drejtori i Arsimit në Pejë, Besim Avdimetaj, ka thënë se presin që ditëve të ardhshme Ministria e Arsimit ta marrë një vendim për këtë çështje.
Nëse situata me Covid-19 vazhdon të jetë e njëjtë, sipas tij, testi nuk do të duhej të mbahej deri në muajin gusht, në të kundërtën vlerëson se çdo rezultat do të ishte i pavlefshëm.
Edhe drejtori i Arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi, ka thënë se maturantëve duhet t’iu jepet mundësi që të përgatiten meqë, sipas tij, rrethanat aktuale nuk janë normale.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Jusuf Thaçi, në një përgjigje me shkrim ka theksuar se meqë ende nuk dihet se kur pritet të stabilizohet situata nga pandemia, aktualisht nuk mund ta dinë se si do të veprohet në lidhje me testin e maturës shtetërore.
“Duhet të presim edhe pak për të parë se çfarë do të ndodhë me pandeminë, si dhe gjithashtu për të parë se çfarë do të bëjnë edhe shtetet e tjera në lidhje me maturën (sepse kjo lidhet edhe me njohjen e kualifikimeve nga vendet e tjera), e veç pastaj të dalim me një qëndrim e vendim”, ka thënë Thaçi.
Shkollat e mesme kanë nisur mësimin online 20 ditë pas pezullimit të procesit mësimor.
Për këtë nivel mësimi po organizohet nga vetë drejtoritë komunale të arsimit dhe shkollat përmes disa platformave online.