Avokati Halilaj: Jam i bindur se u plagosa nga njerëzit e Sami Lushtakut
Avokati nga Drenasi, Gazmend Halilaj, thotë se është plagosur para shtëpisë së tij, ndërsa ka publikuar edhe disa fotografi.
Halilaj, i cili u bë i njohur vitin e kaluar pas skandalit të vajzës së mitur në Drenas, thotë se ai është “gjuajtur për t’u vrarë”, nga njerëzit e Sami Lushtakut.
Ai për FaktePlus ka treguar se si ka ndodhur ngjarja në hyrje të shtëpis së tij, duke thënë se është duke u ruajtur nga disa persona tash e tre ditë.
“Disa mjeshtër kishin qenë duke punuar në shtëpi, dhe une kam qene duke u kthyer tek oborri me kane goditë në veturë fillimisht me xhip, janë ardhë me më gju në veturë. Kanë gjuajtur dy herë me armë dhe jam shtrirë. Kanë menduar se më kanë vrarë dhe pastaj janë larguar”.
Ai më tej për FaktePlus ka treguar se dyshimet janë tek njerëzit e Sami Lushtakut, për të cilin kishte thënë që edhe më parë ishte kërcënuar nga ai.
“Masanej do të flas. Së pari do të merret policia me rastin, por po qe tre ditë janë duke më ruajtur tek shtëpia njerëzit e Sami Lushtakut, me vetura të ndryshme. Jam i bindur 3 milion përqind se janë njerëzit e tij, sot më kanë nxënë vetëm dhe më kane dalë në pritë”.
Më tej ai për FaktePlus tregon se përse nuk e ka denoncuar rastin në Polici.
“Jo jo nuk e kam denoncuar rastin sepse të gjithë njerëzit e tij punojnë aty, prandaj nuk e kam bërë. Menjëherë ma kishin bë si dëshmi të rrejshme, dhe nuk do e zbulonin kurrë. Për momentin jam i lënduar dhe jam duke shkuar në QKUK”, ka përfunduar Halilaj për FaktePlus.
Ndërsa lidhur me rastin kanë folur edhe nga Policia Rajonale e Prishtinës duke thënë se dy persona e kanë sulmuar avokatin, i cili është lënduar nga përleshja me ta.
“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një rast në Drenas. Rastit i janë përgjigjur menjëherë njësitet relevante policore. Nga informatat e para të marra nga vendi i ngjarjes, dyshohet se dy persona ta kenë sulmuar ankuesin, i cili është lënduar nga përleshja me ta”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi, për FaktePlus.
Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të armës.
“Policia ende është duke e trajtuar rastin, përderisa në vendngjarje kanë gjetur dy gëzhoja të armës”, ka thënë Krasniqi.
Plagoset avokati Gazmend Halilaj, thotë se ndodhi para shtëpisë së tij