Lansohet “Edukimi në distancë” edhe për moshat 0-6 vjeç
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Save the Children, ka lansuar sot platformën e parë online në Kosovë “Edukimi në distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç.”
Ministrja në detyrë Hykmete Bajrami, me këtë rast tha se MAShTI, pas fillimit të mësimit në distancë për klasat 1-9, menjëherë ka menduar për fëmijët e moshës 0-6 vjeç dhe bashkë me partnerët ka përgatitur këtë platformë që u lansua sot.
Bajrami theksoi se kjo është mosha më e ndjeshme, të cilën Ministria, do ta ketë në vëmendje të veçantë, sepse duke investuar në vitet e para të jetës së individit, ky investim, do t’i koontribuoj të gjitha niveleve formale të arsimit.
Ministrja theksoi se kjo platformë do t’i mbështesë prindërit/kujdestarët ligjor dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore/javore me fëmijët në kushte shtëpie, ndërsa tha se përmbajtja e aktiviteteve të prezantuara në këtë Platformë, stimulon fëmijët në zhvillimin e tyre në të gjitha fushat zhvillimore në varësi të moshës së tyre. Prandaj, ministrja Bajrami iu bëri thirrje prindërve dhe edukatorëve që sa më shumë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.
Murat Sahin, shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, përgëzoi MASHTI-n për punën që po bën në këtë periudhë, dhe tha se kontributi i përbashkët është i nevojshëm në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të mirëfillta të të mësuarit për të evituar pasojat negative të COVID-19.
Ndërsa, Ahmet Kryeziu, drejtor i Save the Children në Kosovë, theksoi se si partner i përhershëm i MASHTI-t dhe të gjitha institucioneve edukativo-arsimore në Kosovë, Save the Children iu përgjigj pozitivisht kërkesës për të lehtësuar edukimin në fëmijërinë e hershme për kategorinë më të ndjeshme, pra të vegjëlit tanë.
Linku i platformës është: edukimihershem-rks.net në të cilin link mund të qaseni.