Kurti i shkon në vizitë Lladrovcit, diskutojnë për gjendjen e krijuar nga Covid-19
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci bashkë me drejtorët, ka pritur në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministren në detyrë të Administrimit së Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi.
Ata kanë diskutuar për gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19.
Kreu i Drenasit gjatë takimit njoftoi Kurtin për gjendjen aktuale shëndetësore në Komunën e Drenasit, dhe masat e ndërmarra si Shtab Emergjent Lokal.
Lladrovci theksoi se janë në zbatim të plotë të gjitha masave dhe se qytetarët me disiplinë të lartë po i përmbahen.
“Ne me kohë i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit, gjithmonë duke respektuar rekomandimet e IKSHP-së dhe vendimet e Qeverisë. Deri tani nuk ka raste të konfirmuara me rezultat pozitiv të virusit, dhe për këtë falënderoj qytetarët të cilët po i zbatojnë masat dhe rekomandimet. Gjithashtu, falënderoj gjithë akterët e angazhuar, si punëtorët shëndetësorë, të administratës komunale, inspektoratin, Shtabin Emergjent, zjarrfikësit, zyrtarët policor, dhe të gjithë vullnetarët që kanë ndihmuar me donacione”, ka deklaruar Lladrovci.
Lladrovci njëherit në emër tij dhe kryetarëve tjerë, ka shprehur indinjatë të thellë lidhur me masat e reja të Qeverisë të cilat nuk janë hartuar në konsultim me komunat, për të cilën ka reaguar edhe publikisht Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ndërsa, Ministrja Redžepi është arsyetuar se pajtimin e kmunave për vendimin e mbrëmshëm e ka marrë nga Drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.
Në fund të takimit, Kurti ka përgëzuar Lladrovcin dhe qytetarët për disiplinën e treguar në zbatimin e masave dhe menaxhimin e situatës.