Ditari i Albinit, 13 prill
Shkruan: Albin Mehmeti
Virusi korona po e pushton çdo vend. Asnjë vend më s’është imun ndaj tij. Tani, frika ka filluar ta kaplojë çdo kënd. Mbase, edhe vetë autorin e këtij ditari. Me virusin s’ka azgani. Azgania ka mbetur vetëm në këngë nacionaliste. Virusi korona erdhi edhe në Skenderaj. Erdhën a e sollën pak rëndësi ka. Duam apo s’duam ne, ai gjendet në mesin tonë. Virusi i panjohur po na afrohet çdo ditë e më afër. Sa keq! As bashkëvendësit e mi s’kanë më se me çfarë të krenohen. Deri para pak ditësh krenoheshin me të madhe: “Në Drenicë, s’guxon me ardh koronovirusi”. Ç’narcizëm! Vjen, vjen, edhe nuk të pyet, bile!
Shifra apokaliptike vijnë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Deri më tani, treqind e shtatëdhjetë e shtatë persona janë infektuar, kanë vdekur tetë dhe, për fat janë shëruar gjashtëdhjetë e tre. Mbase, shumë do të donin që për këtë shifër alarmante ta fajësonim Serbinë, e cila vetëm pse ka mëri ndaj nesh, sepse ne jemi populli më i vjetër në botë, na ka infektuar. Do të akuzonin e do ta gjenim një armik po të na jepej mundësia. E pata lexuar tek një libër i Umberto Ekos, në mos gabohem te “Varreza e Pragës”, se: “… duhet një armik për t’i dhënë shpresë popullit dhe armiku është miku i popullit!”. Gjetja e shpikja e armiqve është shpëtim për pushtetarët. Por, ja, s’ka fajtor që mund ta gjejmë diku tjetër, përveçse mes nesh. Për vetëvrasjen kolektive s’kemi kënd ta akuzojmë dhe kujt t’ia drejtojmë gishtin. Fajtorë jemi ne. Mbase, edhe vetë autori i këtij ditari. Paramendojeni, nuk e viziton nënën për vite të tëra, vjen koha e epidemisë, bëhet djalë i mirë, i shkon për vizitë dhe si peshqesh ia dërgon virusin. Lum ajo nënë për atë djalë! Nuk i njeh shokët, ndoshta s’i ka takuar që nga shkolla a studimet, dhe tash i bie ndërmend për të organizuar ndeja me ta. Lum shoqëria që e kanë. A thua, duhet që të mbushen spitalet e të mbipopullohen varrezat që ne të marrim vesh? Ku, po na çon kjo dalldi kolektive?
Para pak çastesh, Qeveria mori vendim për kufizim edhe më rigoroz të lëvizjes së qytetarëve. Apologji e shamatë në të gjitha anët. Mendime pro et contra në rrjetet sociale. Mbase, mendime të tilla ka brenda në vetvete edhe vetë autori i këtij ditari.
Sot, ishte ditë e mirë pranvere. Dola e punova në bahçe. Sa me mëri i shihja pemët. Sa të lumtura janë ato. Lum ato që s’kanë politikanë sikurse ne. Mbase edhe kanë. Ku e di!
Këto ditë vazhdova të merrem me studime dhe me prozën e profesor Qosjes. Sa e mirë që është letërsia. Sa të mira janë librat. Brenda pak çastesh fluturon nga një cep i botës në cepin tjetër. Shpeshherë dua të lexoj libra me personazhe të pashpirt. Dua që për një çast të vetëm t’i dua politikanët kosovarë. Dua që jeta në Kosovë të më duket parajsë. E, ç’faj ka Kosova! Ajme për të! Ajme edhe për vetë autorin e këtij ditari! Ajme edhe për ty ditari im!