PDK: Qeveria sërish shkeli rëndë Kushtetutën
Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur “tjetër shkelje të Kushtetutës” vendimin e Qeverisë në detyrë që të kufizojë lëvizjen e qytetarëve në një orë e gjysmë si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Sipas një komunikate të PDK’së, për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese ditë më parë kur rrëzoi vendimin për kufizim të lëvizjes.
“PDK-ja është e alarmuar nga vendimi i fundit i Qeverisë së shkarkuar Kurti, që ka zgjedhur mos ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese duke ndërmarrë një vendim që bën të njëjtën shkelje, për të cilën është shprehur kjo gjykatë. Kujtojmë se Gjykata vendosi njëzëri se vendimi i Qeverisë së shkarkuar, i datës 23 mars 2020, përbënte një shkelje të rëndë të lirive themelore, duke sqaruar se ligjet e posaçme për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, kurrsesi nuk i japin të drejtë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese në gjithë vendin. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo Qeveri në ikje ka marrë në mënyrë arrogante, sërish të njëjtin vendim anti-kushtetues për kufizimin e lirive të qytetarëve, ndërkohë që kjo gjë mund të bëhet vetëm me një ligj të posaçëm të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se Qeveria në detyrë po tejkalon kompetencat e saj.
“Vendimi i saponxjerr nga Qeveria e shkarkuar, përbën një cenim të rëndë të rendit Kushtetutës të Kosovës, prandaj Partia Demokratike e Kosovës e dënon rëndë dhe u bën thirrje institucioneve të tjera të shtetit dhe mbarë opinionit publik që të angazhohen për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe për të penguar autoritarizmin në Kosovë. Masat që duhet të ndërmerren për luftimin dhe përballimin e suksesshëm të pandemisë, duhet të jenë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e PDK-së.
Vendimin e parë të Qeverisë për kufizim të lëvizjes së qytetarëve, e kishte dërguar në Kushtetuese presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Vendimi sipas vendimit të Kushtetueses, është shfuqizuar sot.