7 të infektuar me koronavirus në Han të Elezit, flet kryetari Rufki Suma
Në mesin e komunave të prekura me koronavirus është edhe Hani i Elezit. Janë shtatë persona gjithsej deri tani të prekur me virusin që ka mbyllur gjithë botën.
Të gjitha rastet janë kontakt me të infektuarin e parë, pra familjarë të tij.
Kreu i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka treguar se gjendja e 7 personave të infektuar është e mirë.
“Të gjitha rastet janë raste kontakti për personin e parë të diagnistifikuar , të gjithë janë familjar dhe të afërm të personit të infektuar i cili kishte qenë në kontakt me tani të ndjerin nga Ferizaj, me të cilët kishin punuar bashkërisht në Bondstil. Unë disa here i kontaktoj gjatë ditës dhe thonë se janë shumë mire me shëndet, por disi nuk e besojnë ende si kanë dalë pozitiv”, ka thënë Suma.
Suma ka thënë se ka kërkuar nga të gjithë qytetarët te cilët kanë pasur kontakte me personat e infektuar të vetizolohen në shtëpitë e tyre.
I pyetur se si qëndrojnë me pajisje mbrojtëse, Suma thotë se mire për momentin dhe nuk kanë ndonjë problem në këtë aspekt.
“Qendra e Mjekësisë Familjare është e pajisur me masa mbrojtëse, kemi marrë donacione, por kemi blerë edhe vet”, ka treguar ai.
Suma ka thënë se si komunë po ia dalin mire t’i ndihmojnë edhe rastet sociale, çka thotë se shpërndarjen e tyre e bëjnë gjatë orës policore shtëpi me shtëpi, në mënyrë që familjet të mos grumbullohen.
“300 familje kanë marrë ndihma sociale, jo veç një herër, por dy here. Në koordinim me policinë, ndihmat i dërgojmë nëpër shtëpi. Edhe para muajit të shenjtë të Ramazanit do t’iu ndajmë sërish ndihma familjeve në nevojë”, ka thënë Suma.