Seanca e nesërme pa gazetarë dhe me një pikë të rendit të ditës
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se pikë e vetme e rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për nesër do të jetë “Propozimi dhe miratimi i masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmerr Kosova”.
Përmes një njoftimi, Kuvendi ka bërë të ditur se si pasojë e pandemisë, edhe kjo seancë do të jetë e mbyllur për gazetarë, porse do të ketë transmetim direkt.
“Propozimi dhe miratimi i masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmerr Republika e Kosovës për të tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë së Corona Virusit ‘Covid 19’, me qëllim të përballimit sa më të suksesshëm të pasojave e shkaktuara (aktuale dhe të ardhshme), në drejtim të parandalimit të krizës eventuale ekonomike, zvogëlimit të humbjeve ekonomike dhe ofrimin e mbështetjes së domosdoshme veçanërisht për sektorin privat në Kosovë”. Kjo është pika e vetme e rendit të ditës e seancës që është paralajmëruar të nisë nesër në orën 11:00.
Seanca është thirrur nga PDK-ja, e cila pritet të prezantojë para deputetëve për miratim Pakon emergjente prej 320 milionë eurove.
Për këtë, krerët e PDK-së kanë ftuar partitë ta votojnë atë nesër.