Gjuriq: Katër pacientë të rinj të infektuar me COVID-19 në komunat me shumicë serbe në Kosovë
Në Komunat Serbe në Kosovë janë shënuar katër raste të reja të prekura me COVID-19. Kështu së paku ka bërë të ditur drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, përmes raportit ditor që ai po e publikon tash e një kohë enkas për gjendjen me pandemi në këto komuna.
Sipas tij, në këto komuna në total janë infektuar 49 persona, nga ta 1 është shëruar dhe 2 kanë vdekur.
Tre nga katër rastet e reja janë nga Zubin Potoku, kurse i katërti është nga Leposaviqi, sipas Gjuriqit.
Ai thotë po ashtu se një i infektuar i Mitrovicës Veriore, që ka qenë duke u trajtuar në Nish, është shëruar dhe është liruar nga spitali.
“Pacienti nga Mitrovica Veriore, që ka qenë duke u trajtuar në Nish, është shëruar dhe liruar nga spitali. Në Zubin Potok janë tre të infektuar të rinj, ndërsa 33 janë në vetizolim. Në Leposaviq është një pacient i ri i infektuar”, ka thënë Gjuriqi.
Ai po ashtu ka thënë se në komunën e Shtërpcës janë shpërndarë maska mbrojtëse dhe janë dezinfektuar hyrjet e ndërtesave të banimit. Në komunën e Kamenicës dhe të Novobërdës janë shpërndarë ilaçe për 80 persona. Në Skënderaj janë shpërndarë maska mbrojtëse dhe doreza për qytetarët dhe për motrat e nderit në manastirin e Deviqit. Në Graçanicë është shpërndarë bukë për 50 familje”, deklaroi Gjuriqi në këtë raport.