Lajcak flet në telefon me Vuçicin edhe për dialogun me Kosovën, fillon punën si ndërmjetësues
Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi edhe zyrtarisht ka filluar punën për të cilën është emëruar në fillim të këtij muaji.
Sllovaku ka njoftuar përmes Twitterit se ka biseduar sot në telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Lajcak ka thënë se ka pasur një bisedë të mirë dhe konstruktive me Vuçiqin për dialogun me Kosovën.
“Si pjesë e kontakteve të mia me udhëheqësit politikë të Ballkanit, sot bisedova me presidentin Aleksander Vuçiq. Patëm bisedë të mirë dhe konstruktive, duke filluar nga dialogu, ndihmat dhe reagimi ndaj Covid-19 dhe ekonomia. Mezi pres të punoj së bashku me partnerët e mi për tërë njerëzit në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajcak në Twitter.
https://twitter.com/MiroslavLajcak/status/1249302082328367106?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1249302082328367106&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Flajcak-ia-ben-sefte-punes-se-re-flet-ne-telefon-me-vucicin-edhe-per-dialogun-me-kosoven%2F
Para disa ditëve, Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak ka shkëmbyer letra me kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Kurti në letrën e tij drejtuar sllovakut Lajcak ka përmendur edhe obligimin e tij kushtetues që të udhëheqë me dialogun, si dhe planin e tij për krijimin e një ekipi negociator ku është edhe Presidenti aktual Hashim Thaçi i propozuar si anëtar i ekipit së bashku edhe me kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend.
Ndërkaq në letrën e Përfaqësuesit Special, Miroslav Lajcak për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti ai ka shprehur interesimin që të takohet me shefin e qeverisë në detyrë në një të ardhme të afërt pas kapërcimit të krizës me Covid-19
Mandati i sllovakut Lajcak si Përfaqësues Special i dialogut do të zgjasë për një periudhë 12 mujore, nga data 2 prill 2020 deri më 31 mars 2021.
Mirosllav Lajcak, si përfaqësues i Sllovakisë, kishte votuar sikur përfaqësuesi i Rusisë, më 2005 kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO duke u renditur në krah të vendeve që s’e kanë njohur shtetin kosovar. Sllovakia është njëra nga pesë vendet e BE’së që ka refuzuar të njohë Republikën e Kosovës. Atëkohë, kosovarët s’arritën të bëhen pjesë e Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Thaçi ka kundërshtuar emërimin e Lajcakut në pozitën e Përfaqësuesit Special të BE-së, duke kujtuar se ai vjen nga Sllovakia, vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës
Diplomatit sllovak në mandatin e tij një vjeçar në këtë post i është caktuar edhe përgatitja e një raporti të progresit për punën e tij si ndërmjetësues i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë deri më 30 shtator 2020.