Bekim Jashari: Bizneset e Skenderajt të shqetësuara, Sami Lushtaku po iu kërkon para
Bekim Jashari, Kryetari i Komunës së Skenderajt, ka reaguar pas shpërndarjes së pakove në këtë komunë nga kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sami Lushtaku.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Jashari e ka cilësuar veprimin e Lushtakut të dhimbshme dhe jo njerëzor.
“Të shfrytëzohet situata emergjente, të ndihmohen qytetarët duke u thirrë në emër të partisë, për poena politik është e ulët, e dhimbshme dhe jo njerëzore. Kjo është e pafalshme dhe këtë nuk e merituan qytetarët e komunës që unë udhëheqë”, ka shkruar Jashari.
Po ashtu përmes këtij postimi i pari i Skenderajt ka shkruar se ka marr shqetësime nga bizneset e kësaj komune.
“Dje kemi marrë nga qytetarë e biznese shqetësime të tilla që ju dhe njerëzit e juaj po i kërkoni në emër të partisë donacione për t’i shpërndarë tek njerëzit në nevojë duke ju bërë fushatë, andaj edhe si shtab emergjent dolëm me reagim dhe kërkuam që të mos shpërndani ndihma për qëllime e poena politik”, ka shkruar Jashari.
Sami Lushtaku, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se janë shpërndarë 300 pako ushqimore në emër të partisë së tij.