Prodhuesit në krizë, kërkojnë ndihmë nga Qeveria
Industria e prodhimit, konkretisht ajo e përpunimit të ushqimit në Kosovë, ka zvogëluar kapacitet prodhuese, për shkak të rënies se fuqisë blerëse, pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, thonë përfaqësues të bizneseve dhe afaristë prodhues në Kosovë.
Për të rikuperuar dëmet financiare ata po kërkojnë përkrahje financiare nga qeveria.
Qeveria e Kosovës, në vendimin e 13 marsit për ndërprerjen e veprimtarisë së disa bizneseve, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen COVID-19, nuk ka ndaluar punën e sektorit të përpunimit të ushqimit, por ka urdhëruar që të kenë kujdes të shtuar.
Pavarësisht kësaj, disa nga ta tregojnë se për shkak të rënies fuqisë blerëse, kapaciteti prodhues është zvogëluar apo ndërprerë tërësisht.
Bashkim Osmani është i pronar i kompanisë “Laberion”, që merret me prodhimin e lëngjeve. Ai tregon se gjatë kësaj jave të gjithë punëtorët në sektorin e prodhimit janë pezulluar nga puna. Osmani tregon se para shpalljes se pandemisë deri në një milion euro ka arritur qarkullimi mujor në kompani. Numri i punëtorëve në sektorin e prodhimit këtë kompani, tha ai, është 77.
“Nuk ka shitje në dimensionin që kemi pasur për shkak të pandemisë. Tashmë të gjithë punëtorët e sektori të prodhimit janë në pushim. Kemi prodhuar javën e kaluar tashme ka artikuj të mjaftueshëm”, tha Osmani.
Se shumica e kompanive prodhuese të përpunimit të ushqimit, kanë shënuar rënie të prodhimit e thotë edhe Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve të Kosovës. Ai thotë se ky sektor është duke punuar me 20 për qind të kapaciteteve prodhuese.
“Kanë problem me likuiditet, shitjen e produktit dhe marrjen e mjeteve financiare. Këto kompani gradualisht janë duke zvogëluar kapacitetet prodhuese, deri sa të arrijnë në një fazë që të ndalen. Në qoftë se nuk mund të sigurojnë lëndën e parë, për shkak se nuk mund të shesin produktet ekzistuese. Do të thotë është mungesa e tregut, mungesa e konsumit, likuiditetit kur të gjitha këto bëhen bashkë, atëherë shumica e prodhuesve do të ndalin prodhimin”, tha Panxha për Radion Evropa e Lirë.
Për këtë arsye, Panxha vlerëson se Qeveria e Kosovës, urgjentisht duhet të ndërmarrë masa që të ndihmojë sektorin e prodhimit. Përveç kompensimit të punëtorëve me 170 euro në muaj, ai thotë se ekzekutivi duhet të përkrahë në mënyrë financiare kompanitë prodhuese.
“Nuk është qëllimi që të mbrohet vetëm aspekti social sepse nëse mbrojmë vetëm aspektin social atëherë ne po merremi me shërimin e plagës dhe jo të problemit. Por, duhet të qasemi ndryshe. Në Kosovë po ka hezitim jashtëzakonisht të madh nga institucionet dhe nga spektri politik, të përkrahet pronari i firmave private. Në fakt nuk po përkrahet pronari, por po mbrohen vendet e punës, në qoftë se dështon firma, humbin edhe vendet e punës dhe do rriten edhe rastet sociale”, thekson Panxha.
Bislimi: Qeveria nuk ndan shpërblime, zvogëlon dëmet
Edhe Bashkim Osmani, pronar i kompanisë “Laberion”, thotë se prodhimi ka nevojë për “infuzion” financiar.
“Ne kemi nevojë për një infuzion financiar. Problemi kryesor është te bankat komerciale që të bëjnë një prolongim të linjat kreditore. Edhe qeveria në rend të parë duhet të ndihmojë shtresat që janë shumë më keq, siç janë gastronomia, pastaj edhe neve si prodhues”, shprehet Osmani.
Por, ministri ne detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi thotë se shumica e masave të ndërmarra në Pakon Emergjente Fiskale janë në mbrojtje te bizneseve.
Ai thotë pagesa e punëtorëve, shtyrja obligimeve tatimore, shtyrja afatit për kthim të këstit të kredisë, pagesa e një përqindje të qirasë, janë mbështetje për afaristët. Bislimi shprehet se në këtë fazë emergjente, qeveria nuk ka mundësi të japë shpërblime, por të minimizojë dëmet.
“Në esencë krejt masat janë për bizneset, në qoftë se dëshirojnë të kuptojnë. Ne nuk jemi në fazë të shpërndajmë premiume, jemi në fazë të minimizimit të dëmeve. Ne nuk mundemi ta marrim të gjithë koston dhe të ndajmë shpërblime. Është një fazë emergjente që të gjithë jemi goditur, edhe qeveria është goditur. Ne kemi parashikime që të ketë deri në 200 milinë më pak tatime. Bizneset nëse këtë masë e kritikojnë, unë nuk e di çfarë kanë menduar dhe çfarë kanë pritur nga qeveria”, tha Bislimi për Radion Evropa e Lirë.
Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë të prekura nga kjo situatë, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë eurosh.