Ditari i Albinit, 10 prill
Shkruan: Albin Mehmeti
Mungova për tre ditë, i dashuri ditar. Mungova, ndoshta edhe pa arsye. Ndoshta, s’pata çfarë të shkruaj, pasi çdo ditë po i përngjan tjetrës. Tani ditët i dallojmë vetëm prej numrit të infektuarve dhe të vdekurve. Ruana Zot!
Jemi bërë sy e vesh për lajme.
Kur isha i vogël, menjëherë pas përfundimit të luftës, u pata çuditur kur i pashë përsëri lajmet në televizor. Pata menduar se lajmet ishin krijuar të transmetohen vetëm në kohë të luftës. S’e pata ditur që vetë jeta është luftë dhe, sidomos jeta e një kosovari.
Asnjëherë s’e kam menduar se do të jap lajme. Nuk ka lidhje që më dëgjon vetëm ti, ditari im. Aq më pak s’e kam menduar se do të jem reporter për ditarin tim të jetës e të rrëfej për një epidemi a pandemi. Numri i të infektuarve ka kapur çerekun e njëmijë të infektuarve. Për fat, deri më tani janë shëruar pesëdhjetë e tre, kurse fatkeqësisht deri më tani kanë vdekur shtatë persona. Zot, na ndihmo!
Mbase do të thuash se si është ngritur kaq shpejt numri i të vdekurve. Herën e fundit kur kam shkruar ishte një numër shumë më i vogël. Është e vërtetë se këto ditë janë shfaqur shumë njerëz të infektuar, por nuk është këtu problemi. Tani në statistikat me COVID 19 janë duke u regjistruar edhe rastet nga komunat veriore të Republikës së Kosovës. Tani u është kujtuar rrahagjoksëve tanë që edhe ato komuna janë të Kosovës.
Zot, fali, ata aq dinë!
Dje ishin dy përvjetorë të mëdhenj për Kosovën dhe historinë e saj. Njëzet e një vjet më parë u zhvillua njëra nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Njëzet e një vjet më parë u inkarnua trimëria dhe fuqia e kreshnikëve mitikë në zemrat e vashave dhe djemve më të mirë të Kosovës. Gjaku i tyre u bë gurthemeli i shtetit të Kosovës, i cili pikërisht nëntë vjet pas kësaj dite do t’i hedh themelet ligjore të saj, pra miratimin e Kushtetutës. Dymbëdhjetë vjet më parë u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Edhe e para edhe dyta kanë shumë të përbashkëta, përveç datës. Beteja e Koshares u bë për ta luftuar një padrejtësi kurse Kushtetuta u krijua për ta luftuar padrejtësinë. Si e para ashtu edhe e dyta janë themelet e shtetit të Kosovës. Por, kanë edhe një të përbashkët. Sikur gjaku i dëshmorëve të Koshares, ashtu edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës për çdo ditë shkelen e përdhosen, mbase ndonjëherë edhe nga dashuria false e atyre që fytyrën e kanë vetëm dekor dhe jo nder. Zot, ke mëshirë për ne!
Për çështje studimi, këto ditë përsëri iu riktheva prozës së Rexhep Qosjes. Teksa lexoja romanin e tij të parë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, më ra në sy një pjesë që e kisha nënvizuar nga leximet e para, ku autori thotë: “…Ku i ka marrë të gjitha ato të holla, o Zot.
Xhemaili është me të vërtetë mjeshtër për vetën. Ani çfarë është ajo shtëpia e tij! Kështjellë, pallat! Me rrethojat e ballkonit, shqiponjat, e dëshmon atdhetarizmin! Ashtu provohet etika kombëtare…”. Uh! Ç’të them?! Ky roman është shkruar gati përafro gjysmë shekulli. Përsëri, edhe sot gjendja është e njëjtë. Mbase ishte e njëjtë edhe gjysmë a një shekulli para se të shkruhet vepra. Mbase do të vazhdojë njëjtë edhe pas gjysmë a një shekulli prej sot. Padyshim se njëjtë do të jetë. Derisa ne do të vazhdojmë t’ua ndërtojmë shtatoret të gjallëve që trumbetojnë e thirren në patriotizëm folklorik, e tillë do të jetë gjendja jonë. Derisa Xhemailët do t’i vendosim në krye të odës vetëm pse në qafë mbartë një zinxhir me shqiponjë, apo në brez ka një revole me të cilën shtie në ajër nga dalldia kur dëgjon këngë nacionaliste, të tillë do të mbesim. Mbase, nuk meritojmë gjendje më të mirë.
Zot, na mundëso ta përmirësojmë vetveten!