Kërcënohet me jetë Albin Kurti: “10 milionë euro kush ma sjell kokën e tij”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar me jetë përmes rrjetit social Facebook mëngjesin e së premtes.
Kërcënimi ndaj kreut të Lëvizjes Vetëvendosje ka ardhur nga një person me emrin e Facebook-ut, Daniel Arianitti.
Ai ka thënë se jep dëmshpërblim prej 10 milionë eurove në këmbim “të kokës së Albinit”, të cilin e ka krahasuar me ish-liderin e Kubës, Fidel Castron.
“10 milion euro kush ma sjell kokën e Albinit, Fidel Castros, psikopatit shqiptar”, ka shkruar ai në Facebook.
Kërcënimin ndaj Albin Kurtit e ka denoncuar në Policinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje.
Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, ka thënë se lënda është në duart e “organeve të hetuesisë e rendit”.
Në një kumt në Facebook, Manxhuka u bëri thirrje aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të mos merren privatisht me kërcënuesin.
“E di që shumë prej jush e keni marrë me shumë seriozitet një kërcënim të një personi që kishte bërë ndaj Albinit në FB, por nuk është zgjidhje që privatisht e personalisht të merreni me të, madje s’do të duhej”, ka shkruar Manxhuka në reagimin e tij.
Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Albin Kurti ishte kërcënuar me jetë nga Haxhi Hoti, ish-kandidat për deputet i Nismës Socialdemokrate.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti kishte bërë një krahasim mes presidentit të vrarë amerikan, John Kennedy dhe Albin Kurtit.
Hoti kishte thënë se ndonëse populli e deshi të parin për udhëheqës të shtetit, nuk ishte në interesin e shtetit që ai të ishte president, kurse për Kurtin ka thënë se populli “ndoshta” e do, “por nuk është interes i shtetit që ky të jetë kryeministër”.