Zogiani për hidrocentralet: Projektet që po vazhdojnë të ndërtohen ishin aprovuar nga PAN-i
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogiani, përmes një postimi në Facebook ka thënë se projektet e hidrocentraleve që po vazhdojnë të ndërtohen kanë qenë të aprovuara moti nga PAN-i dhe qeveritë e mëhershme.
Shumë qytetarë kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth rifillimit të punëve në ndërtimin e hidrocentraleve në zonën e Brezovicës dhe zona të tjera të Kosovës.
“Këto projekte që po vazhdojnë të ndërtohen kanë qenë të aprovuara qysh moti, gjatë qeverisjes së PAN-it dhe më herët gjatë qeverive më të hershme. Këto projekte kanë qenë të aprovuara kuturu dhe pa marrë për bazë prioritetet e përdorimit të resurseve ujore, madje ato as që kanë përmbushur standardet ligjore”, ka shkruar Zogiani.
Ai tutje shton se këto projekte i kanë gjetur ose të përfunduara, ose në përfundim e sipër.
Zogiani ka shtuar se bashkë me ministrin Lumir Abdixhiku kanë filluar të bëjnë analizimin e këtyre projekteve, porse mocioni ndaj Qeverisë Kurti ka dëmtuar seriozisht mundësitë e gjetjes së një rrugëdalje nga kjo situatë.
“Sido që të jetë, të nderuar qytetarë, ne nuk jemi dorëzuar përballë kësaj situate. Megjithëse praktikisht puna me Parlamentin u pamundësua, edhe për shkak të pandemisë, por edhe të situatës politike ne kemi vazhduar diskutimin për situatën me lumenjtë dhe natyrën në hot-spotet që janë më së shumti të dëmtuara. Po shpresojmë që në ditët në vijim do të kemi një vendim për këtë çështje”, ka thënë Zogiani, i cili ka kërkuar mirëkuptim “pasi nuk është çështje e lehtë duke qenë se flasim projekte që kanë filluar qysh prej vitit 2014 dhe kanë avancuar shumë në implementim”.