LBRAT NË SFOND NË KOHËN E PANDEMISË
Shkruan: Qëndrim Morina
Pak më shumë se dy vjet, në një debat në RTV21, temë e së cilit ishte: “Sa po lexohet në Kosovë”, shkrimtari Albatros Rexhaj, ndër të tjera, pati thënë: “… në Kosovë ka krizë të leximit”.
Një ditë më vonë pata reaguar me një shkrim të titulluar: “Në Kosovë nuk ka krizë të leximit”, publikuar fillimisht në murin tim në rrjetin social ‘Facebook’ e më pas edhe në gazetën “KOHA Ditore”.
Mes shumë reagimeve pro at kondra, isha i bindur që në Kosovë nuk ka krizë të leximit.
“Në Kosovë nuk ka krizë të leximit, por mungesë vijushmërie të leximit. Pra, ka mungesë kontinuiteti”, pata shkruar përmbledhazi.
Jashtë çdo diskutimi, edhe sot e kam po të njëjtën bindje: që njerëzit lexojnë herë-herë, për shkaqe të ndryshme (tashmë të ditura përgjithësisht), por asnjëherë nuk mund të bëhet fjalë për “krizë”.
A jemi të kënaqur me këtë shkallë të leximit? Sigurisht që jo. Por na duhet vijueshmëria…
Sot, kur kanë kaluar dy vjet nga ajo situatë, e ka pushtuar pothuajse gjithë globin pandemia COVID-19, dhe Kosovën në veçanti. Kjo pandemi bëri që njerëzit të ngujohen, në mënyrë që të mbrohen nga infektimi fillimisht dhe më e keqja – vdekja, më vonë.
Kjo dembeli e popullit, që tashmë pothuajse tërë kohën jemi të mbyllur na bën që herë pas here të kapim edhe ndonjë libër e ta shfletojmë. Pak që të mësojmë diçka, e më shumë që të ecë koha (që tashmë me ditën e zgjatur, goxha vështirë po bëhet natë).
Ajo që më shqetëson (dhe jo veç mua, ndoshta) më shumë është paraqitja e librave në prapavijë, kur ‘’mysafirët’’ e televizioneve në lidhjet e tyre online ftohen që të flasin për tema të ndryshme. Kjo është njëfarë ‘’mburrjeje’’ që kinse që po lexojmë (në këtë grup nuk hynë profesorët apo ata që më të vërtetë lexojnë).
Kjo metodë është më neveritëse kur aplikohet nga politikanët e paditur. Ata (që janë të shumtë) që në Kuvendin e Kosovës nuk dinë dy-tri fjalë t’i shqiptojnë siç duhet, në një paragraf të shkurtër.
Madje, në Seancën e fundit, njëri nga deputetët gjatë fjalimit të tij shqiptoi edhe një fjalë të re për fjalorin tonë: “Virus i shpresës”, e tjetri në vend të fjalës “organizim” përdori fjalën “organizëm”, apo tjetra në vend të “gjithësi”, përdori “gjithsesi”.
Këta lloj “virusësh gjuhësorë” ta ekspozojnë fytyrën e tyre në lidhjet online me libra në prapavijë, është një fyerje e dyfishtë. Një – për ata që lexojnë, dhe dy – për vetë librin (si instrument i dijes).