Oda e Farmacistëve dënon veprimtarinë e paligjshme të barnatoreve
Oda e Farmacistëve ka dënuar ashpër dy rastet e fundit të evidentuara në Skenderaj edhe në Klinë, ku hapja e barnatoreve u bë në kundërshtim me rregullat apo kushtet e licencës (pa farmacist përgjegjës/zëvendësues dhe pa licencë apo me licencë profesionale të skaduar të barnatores) për ushtrimin e veprimtarisë nga organi kompetent – Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, thuhet në një komunikatë të kësaj shoqate.
“Aq më keq kur u vërtetua se në rastin e Klinës, barnatorja përveç pa farmacist kishte qenë fare pa licencë dhe në këtë mënyrë ka pasur mundësi të shkaktimit të dëmtimit serioz të shëndetit publik të popullatës. Veprimet e tilla paraqesin shkelje të rëndë të dispozitave, të nenit 51 (mbrojtja shëndetësore dhe sociale) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 14 të Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe nenit 26, paragrafi 2 të Ligjit për Shëndetësi të Kosovës. Kërkojmë nga të gjithë personat, dhe posaçërisht ata jofarmacistë që janë pronarë të barnatoreve që në mënyrë strikte t’i zbatojnë ligjet në fuqi dhe të mos luajnë me shëndetin publik të popullatës dhe me dinjitetin e 1.300 farmacistëve, sidomos atyre që janë në vijën e parë në këto ditë të pandemisë, të cilët po kryejnë një punë të jashtëzakonshme”, thuhet në komunikatë.