Kryeshefi i ‘KRU Prishtina’ nuk e di pse u shkarkua, i emëruari i ri mohon të jetë pjesë e VV’së
Parduzi thotë se nuk e din arsyen e shkarkimit, i emëruari i ri mohon të jetë pjesë e LVV.
Shkarkimet në ndërmarrje publike nuk po ndalen.
Kësaj radhe ishin anëtarët e bordit të përkohshëm të Ujësjellësit Rajonal Prishtina të emëruar një javë më parë, ata që morën vendimin për shkarkimin e U.D të kryeshefit të tyre, Kapllan Parduzi.
Një gjë të tillë e bëri të ditur vetë kryeministri në detyrë Albin Kurti, në një konferencë për media gjatë së martës.
Kurti gjithashtu shtoi se i njëjti është rikthyer në pozitën e mëparshme të tij, drejtor për konsumatorë.
Parduzi, që ishte në detyrë për më pak se një muaj po thotë se për këtë kohë ka kryer detyra që nuk ishin kryer me vite të tëra dhe se nuk e din arsyen e shkarkimit të tij.
Këto veprime të qeverisë në detyrë, sipas tij, nuk janë asgjë më shumë se fushatë zgjedhore.
Ndërsa në vend të Parduzit, bordi i përkohshëm i KRU ‘Prishtina’ ka emëruar Sokol Xhafen, që ishte drejtor teknik në këtë ndërmarrje.
Edhe ky emërim u kontestua si politik, pasi që të njëjtit iu shpërnda një foto në rrjete sociale ku shihet afër logos së lëvizjes Vetëvendosje, por Xhafa e mohon një gjë të tillë.
Ai thotë se para një viti së bashku me Autoritetin Rregullativ për Ujëra morën pjesë në një takim me grupin parlamentar të LVV në ambientet e Kuvendit të Kosovës për të diskutuar rreth menaxhimit të resurseve ujore në Kosovë.
Ndryshe sipas kryesuesit të bordit të përkohshëm të KRU ‘Prishtina’, Mentor Hyseni, së shpejti pritet të hapet konkursi për rekrutimin e këtyre zyrtareve me mandat të plotë.