Qeveria me vendim i zvogëlon shpenzimet mujore të telefonave edhe për kryeministrin edhe për ministrat
Qeveria e Kosovës ka marrë sot edhe një vendim për ulje të shpenzimeve. Kësaj radhe bëhet fjalë për shpenzimet e telefonisë fikse dhe mobile për zyrtarët e lartë të shtetit.
Sipas një njoftimi të Qeverisë, vendimi synon të racionalizoj shpenzimet e parasë publike për përdorimin e telefonave në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“Me këtë vendim shfuqizohet Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 22.01.2008, si dhe pezullohen nenet ( 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 ) të Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2008 për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Kosovës. Vendimi përcakton zyrtarët përfitues të telefonisë mobile dhe shumat e aprovuara që do të mbulohen nga buxheti. Gjithashtu vendimi përcakton edhe të drejtën dhe shumën e lejuar të harxhimeve edhe në telefonin fikse në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Me udhëzimin e deritanishëm, kryeministri kishte të drejtë që në mënyrë të pakufizuar të bënte shpenzime në telefoninë mobile postpaid, por tash me vendimin e ri është kufizuar deri në 150 euro.
Zëvendëskryeministrat dhe ministrat kishin të drejtë deri në 250 euro, por tani është zvogëluar në 100 euro për zëvendëskryeministrat e 70 euro për ministrat.
Për zëvendësministrat ka qenë 150 për muaj, ka zbritur në vetëm 50 euro.
Nëse për mbushje telefoni, kanë pasur të drejtë deri më tani të marrin nga 70 euro këshilltarët e kryeministrit dhe ministrave, tash kjo shumë është zbritur në 30 euro për muaj.