IPK arreston një polic, kishte ushtruar dhunë gjatë ushtrimit të detyrës
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti për menaxhimin e ankesave dje ka pranuar një ankesë se një zyrtar policor ka ushtruar dhunë ndaj një 21 vjeçari.
Sipas pretendimeve të tij, ai ka pësuar dëmtime në kokë pas një incidenti me një zyrtar policor.
Pas procedimit të rastit, IPK ka arrestuar zyrtarin policor me dyshimin për veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Kjo është komunikata e plotë:
Prishtinë, 8 prill 2020
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti për menaxhimin e ankesave dje ka pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në një incident që kishte ndodhur më 5 prill 2020 në lagjen “Velania” në Prishtinë.
Sipas pretendimeve të familjarëve të viktimës (21 vjeçar) ai kishte pësuar dëmtime në kokë pas një incidenti që e ka pasur me një zyrtar policor.
Rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast.
Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot zyrtarin policor (punonjës në stacionin policor Qendra në Prishtinë) që ishte i përfshirë në këtë incident.
Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.
Me respekt;
Divizioni për bashkëpunim dhe informim
Inspektorati Policor i Kosovës.