Kurti s’ka asnjë kushtëzim për dialogun me Serbinë, as ndaljen e fushatës për tërheqjen e njohjeve
Lideri i VV’së, Albin Kurti, i cili është duke drejtuar Qeverinë e Kosovës si Kryeministër në detyrë, përmes një letre që i ka dërguar emisarit të BE’së për dialogun, ka treguar gatishmërinë e Qeverisë së tij për ta nisur dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se në mënyrë që bisedimet të kenë sukses në tryezën e bisedimeve duhet të mos flitet për kufijtë, pa përmendur fare kushtet për të zhdukurit dhe milionat që Serbia i detyrohet Kosovës. Madje s’e ka përmendur fare as ndaljen e fushatës për çnjohjet.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pasi kishte fituar zgjedhjet e 6 tetorit, në një intervistë për Zërin e Amerikës kishte folur edhe për çështjen e dialogut me Serbinë, ku kishte renditur një sërë kushtesh që do t’i vendoste në tryezë.
Kreu i VV’së në vargun e kushtëzimeve për Beogradin, kishte përmendur ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, zbardhjen e fatit të të pagjeturve, dhe borxhin financiar që Beogradi ia ka Prishtinës.
“Ne kemi po ashtu kërkesa për Serbinë. Përveç se duhet ta njoh Republikën e Kosovës, duhet ta ndryshoj kushtetutën, e ka kushtetutën të vjetruar Republika e Serbisë dhe duhet ta ndryshoj dhe gjithashtu duhet që të ballafaqohet me të kaluarën me ç’rast patjetër që Serbia na shfaqet si borxhli ndaj Kosovës edhe sa i përket suksesionit të Jugosllavisë edhe sa i përket reparacioneve të luftës edhe të okupimit. Prandaj besoj që i gjithë spektri politik kosovar, duhet të bashkohen në kërkesat e Republikës së Kosovës për Republikën e Serbisë, ku duhet theksuar 1 mijë e 500 të pagjeturit, pastaj janë mbi një milion shqiptarë të dëbuar ga shtëpitë e tyre në pranverën e vitit 1999, 860 mijë të deportuar jashtë Kosovës, njëzet mijë gra e vasha të përdhunuara, janë 10 mijë civilë të pambrojtur e të paarmatosur të vrarë në mesin e të cilëve mbi 1 mijë fëmijë, fondi i kursimeve pensionale, depozitat bankare dhe 1 mijë e 200 artefakte kulturore gjithashtu të plaçkitura por të mos harrojmë se edhe shumë ndërmarrje në Kosovë i kanë pasur degët, zyrat e tyre gjithandej në Serbi të cilat janë tjetërsuar padrejtësisht dhe këto janë vetëm disa prej elementeve përbërëse të kërkesave tona për borxhin që na e ka Serbia”, kishte thënë Kurti për Zërin e Amerikës.
Përveç kësaj, Kurti vazhdimisht kishte thënë se para se të fillojë dialogun me Beogrdin, do të fillojë bisedimet me serbët e Kosovës. Siç thoshte Kurti, një dialog nga poshtë-lartë.
Megjithatë Kurti asnjë prej këtyre kushtëzimeve nuk e ka përmendur në letrën që i ka dërguar tash emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak. S’ka përmendur fare as ndaljen e fushatës së Serbisë për njohjet e Kosovës.
Në letrën e tij, kryeministri në detyrë ka shprehur gatishmërinë e tij për rifillimin të një procesi të pandërprerë negociatash me Serbinë për arritjen e një marrëveshje finale. Kurti ka thënë se parakusht që dialogu të ketë sukses është që që në tryezën e dialogut mos të flitet asesi për korrigjim të kufijve.
“Si qeveri në detyrë e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar për zhvillimin e një procesi të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të dialogut. Ne konsiderojmë që të dyja palët duhet të punojnë intensivisht për të arritur një marrëveshjepërfundimtare për të gjitha mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë. Në mënyrë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës po ashtu edhe shterrues, të dy vendet duhet të pajtohen që të sjellin në tavolinën e bisedimeve të gjitha çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve të tyre bilaterale. Ky është parakusht që dialogu të ketë rezultat të suksesshëm”, ka shkruar Kurti.
Në këtë letër dërguar Lajçakut, Kurti ka kërkuar një dialog pa harta ndërkohë si garant për procesin ka kërkuar Brukselin dhe Washingtonin.
“Palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme. Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridenimin e kujve. Kjo është e një rëndësie thelbësore”, kishte specifikuar Kurti në letrën e tij.